Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë të martën se vendi i tij s’e ka ndërmend që ta braktisë programin bërthamor, përfshirë pasurimin e uraniumit, përkundër dëmit të madh që iu shkaktua impianteve si rezultat i sulmeve amerikane në muajin qershor, ka shkruar Reuters.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan, Fox News, Aragchi ka deklaruar se aktualisht procesi i pasurimit të uraniumit është ndalur, për shkak se “dëmet janë serioze dhe të rënda”.
“Por, natyrisht që ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi, sepse është arritje e shkencëtarëve tanë”, ka theksuar ai, tek e ka konsideruar procesin në tërësi si “krenari kombëtare”.
Sipas tij, çdo marrëveshje bërthamore që mund të arrihet, s’duhet ta kontestojë të drejtën e patjetërsueshme të Iranit për të pasuruar uraniumin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin bombarduar tri impiante bërthamore në Iran më 22 qershor, për ta përkrahur fushatën ushtarake të Izraelit.
Edhe
Nëse SHBA-ja sulmon, Irani thotë se do të sulmojë bazat e saj në rajon
Ushtria amerikane e kishte shënjestruar po ashtu edhe qendrën kryesore për pasurim të uraniumit, Fordow, e cila ndodhet në jug të Teheranit.
Që prej atëherë, presidenti Donald Trump ka përsëritur disa herë se sulmet ishin aq të suksesshme saqë kanë rezultuar në “shkatërrimin e plotë” të tri bazave bërthamore, pavarësisht disa raporteve kundërthënëse të inteligjencës.
-
Irani s’po pasuron më uranium, thotë ministri i Jashtëm
-
Irani dhe fuqitë evropiane diskutojnë sot rreth programit bërthamor dhe sanksioneve
-
Irani thotë se do të rifillojë bisedimet bërthamore me SHBA-në, nëse s’do të ketë më sulme
-
SHBA-ja duhet të përjashtojë sulmet nëse do bisedime me Iranin, thotë ministri iranian