Botë

Kritiku i burgosur për “lajmet e rreme” për luftën e Rusisë

Në një intervistë për BBC-në gjatë muajit korrik, Yashin kishte thënë se arrestimi nuk ishte befasi sepse autoritetet ruse i kanë bërë të qarta dy alternativa për kundërshtarët e Kremlinit: ikjen jashtë shtetit ose burgun.

Një prej figurave më të njohura opozitare në Rusi, Ilya Yashin, është burgosur me tetë vjet e gjysmë burgim për përhapje të “lajmeve të rrejshme” për ushtrinë ruse. Një prej kritikëve të paktë që kanë mbetur në Rusi, vazhdimisht kishte folur kundër luftës ruse në Ukrainë.

Ai ishte arrestuar pasi dënoi ashpër krimet e dyshuara të luftës që ka kryer Rusia në qytetin ukrainas të Buchas. Pak javë pasi kishte nisur pushtimin e Ukrainës, Rusia i ka shpallur si krim të gjitha raportimet që i cilëson si “informacione të rreme”.

Dhjetëra rusë janë dënuar me burgim në lidhje me kritikat e tyre, por dënimi i Yashinit është më i gjati deri më tani. Ai ka mohuar të gjitha akuzat e pushtetit, por gjykatësja Oksana Goryunova të premten ka thënë se ai me dijeni të plotë kishte përhapur lajme të rreme për forcat e armatosura të Rusisë.

Në prillin e këtij viti, Yashin në kanalin e tij në “Youtube” kishte folur për vrasjen e qindra civilëve ukrainas nga forcat pushtuese të Rusisë në Bucha, periferi e Kievit.

Para gjykatës, ai ka thënë se ka ofruar versionet ruse dhe ukrainase të ngjarjes që kishte ndodhur në Bucha. Gjatë prezantimit të tij, kishte treguar fotografi dhe raportime të mediave ndërkombëtare. Ministria ruse e Mbrojtjes i kishte cilësuar akuzat si provokime të fabrikuara, ndërkaq pamjet e civilëve të vdekur i kishte cilësuar të “montuara”.

Prokurorët rusë kanë kërkuar të premten dënim me burgim deri në nëntë vjet. Mirëpo avokatja e tij, Maria Eismont ka thënë se do ta apelojnë vendimin.

Në një postim në rrjetin social “Telegram”, Yashin u ka thënë përkrahësve të tij se nuk kanë arsye që të jenë të pikëlluar. “Ne e kemi thënë të vërtetën për krimet e luftës dhe kemi bërë thirrje për ndaljen e gjakderdhjes”, ka shkruar Yashin.

Lideri më i njohur opozitar në Rusi, Alexei Navalny, ka thënë se “dënimi i turpshëm nga gjykata e Putinit nuk do ta hesht Ilyan”, teksa e ka cilësuar atë si mikun e tij më të mirë që kishte në politikë.

Në një intervistë për BBC-në gjatë muajit korrik, Yashin kishte thënë se arrestimi nuk ishte befasi sepse autoritetet ruse i kanë bërë të qarta dy alternativa për kundërshtarët e Kremlinit: ikjen jashtë shtetit ose burgun.

I pyetur nëse do ta sfidonte presidentin e Rusisë edhe nga burgu, Yashin ka thënë se është e rëndësishme që të ketë njerëz në opozitë që janë gati të rezistojnë.

Para gjykatës të premten, përkrahësit e Yashingit e kanë kundërshtuar burgosjen e tij. Kanë thënë se ishte gjykim i padrejtë dhe shkelje e të drejtave të lirisë së fjalës.

Nën ligjin aktual të luftës, të gjithë ata që përhapin “lajme të rrejshme” për ushtrinë, i pret dënimi me burgim deri në 15 vjet.

Rusët e kanë të ndaluar të përdorin fjalën “luftë” për të përshkruar pushtimin e Ukrainës.