Të paktën 23 rusë rrezikojnë t’i vuajnë disa vjet burgim e qindra të tjerë mund të dënohen me gjoba të larta për shkak të kundërshtimit të pushtimit së Ukrainës nga Rusia.
Grupet e të drejtave të njeriut deklaruan se zërave kritikë ndaj Rusisë, iu kanë dalë shumë probleme, pasi drejtësia iu është vënë pas, raporton APNEËS të enjten.
“Kjo është sasi e madhe (e të arrestuarve v.j), sasi e paparë”, deklaroi Damier Gainutdinov, kryetar i grupit të ndihmës juridike që fokusohet në rastet e lirisë së shprehjes.
Muajin e kaluar, Rusia miratoi ligjin që ndalon përhapjen e “informacioneve të rreme” në lidhje me pushtimin dhe përçmimin e ushtrisë ruse. Sipas këtij ligji, të gjithë ata që e ofendojnë, sulmojnë apo kritikojnë ushtrinë ruse, mund të dënohen ashpër.
Kjo ka ndikuar edhe në kontrollimin e narratives, pasi një grumbull mediash opozitare në Rusi “u shuan” duke iu bllokuar qasjen për ta çuar informacionin te qytetarët.
Kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, mijëra rusë u grumbulluan në sheshet kryesore të Moskës e të qyteteve të tjera për ta kundërshtuar atë që synonte ta realizonte presidenti Vladimir Putin. Protestat u shuan forcërisht nga policia ruse.
Megjithatë, në mesin e të arrestuarve pati edhe protestues që nuk bënë asnjë “provokim”. Një djalë u arrestua veç pse mbante një letër me disa yje “****”, por që u konsiderua si mesazh “kundër luftës”.
Arrestime të tilla vazhdojnë të ndodhin edhe sot.
Ish-oficeri i policisë, Sergei Klokov, u arrestua dhe u dërgua në paraburgim pasi thuhet se kishte biseduar për luftën me miqtë në telefon. Ai u akuzua për përhapje të informacionit të rremë, ndërsa rrezikon të dënohet deri me 10 vjet burgim.
10 vjet burgim mund t’i caktohen edhe artistes ruse, Sasha Skolichenko. Ajo i hoqi etiketat e çmimeve në një dyqan në Rusi, për t’i zëvendësuar me broshurat kundër luftës.
Në mesin e të dënuarve është edhe Ioann Burdin, një prift ortodoks rus, që jeton në verilindje të Moskës. Ai u gjobit me 35 mijë rubla ruse për “diskreditim të forcave të armatosura ruse”, pasi publikoi mesazhe kundër luftës në një faqe interneti.
Përktheu: Ermir Bujupaj