Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusja dënohet me shtatë vjet burgim pasi protestoi kundër luftës në Ukrainë

Një aktiviste ruse anti-luftë është dënuar me shtatë vjet burgim, pasi kishte zëvendësuar etiketat e çmimeve në një supermarket me mesazhe kundër luftës, shkruan BBC të enjten.

Sasha Skochilenko 33-vjeçare, një artiste nga St. Petersburgu, gjendet në paraburgim që nga prilli i vitit të kaluar.

Ajo është dënuar se ka shpërndarë “informata false” rreth ushtrisë ruse.

Avokatët e saj kërkuan lirimin, duke thënë se sëmundjet kronike nga të cilat vuan ajo, mund të çojnë deri te vdekja e saj në burg.

Disa javë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, Skochilenko protestoi duke zëvendësuar etiketat në një supermarket në St. Petersburg me mesazhe kundër luftës.

Edhe Artistja ruse midis grupit të madh të të burgosurve të shkëmbyer Kulturë Artistja ruse midis grupit të madh të të burgosurve të shkëmbyer

Në etiketat që i vendosi shkruante “Ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol. Rreth 400 persona ishin fshehur brenda saj” e po ashtu “Stërgjyshi im nuk luftoi në Luftën e Dytë Botërore për katër vjet që Rusia të bëhej një shtet fashist dhe ta sulmonte Ukrainën”.

Skochilenko i pranoi akuzat.

Në fjalën e saj përmbyllëse, artistja tha: “Sa pak besim ka prokurori ynë në shtetin tonë dhe në shoqërinë tonë nëse mendon se shtetësia jonë dhe siguria publike mund të shkatërrohen nga pesë copa të vogla letre? Thuani çfarë të doni – isha gabim apo më ishte shpëlarë truri. Unë do t’i qëndroj mendimit tim dhe të vërtetës sime”.

Skochilenko u dënua për “diskreditim të ushtrisë ruse”, sipas ligjeve shtypëse që ishin miratuar në prag të pushtimit rus të Ukrainës.

Ligji i ri kriminalizon çdo aktivitet kundër luftës.

Edhe Një ruse dënohet me burgim pasi shkroi “Jo luftë” në fletëvotim Botë Një ruse dënohet me burgim pasi shkroi “Jo luftë” në fletëvotim

Gjyqi zgjati një vit e gjysmë, pasi ishte një ndër të parët që u mbajt nën ligjet e reja.

“Si fillim, hetimi zgjati shumë. Prokurorët duhej të gjenin prova diku”, tha avokatja e Skochilenkos, Yana Nepovinnova.

Motra e Sasha Skochilenkos, Anna, tha për “BBC” se motra e saj ishte “një simbol i çdo gjëje që autoritetet ruse urrejnë”.

“Ajo është artiste, e brishtë, lezbike dhe ka mbiemër ukrainas”, thotë Anna Skochilenko.

Ajo ka thënë se motra e saj vuan nga sëmundje kronike, përfshirë një defekt në zemër.

Edhe Dënohet me burgim aktivisti rus i të drejtave të njeriut, OIeg Orlov Botë Dënohet me burgim aktivisti rus i të drejtave të njeriut, OIeg Orlov

Muajin e kaluar, gazetarja Marina Ovsyannikova, që protestoi drejtpërdrejt në televizion shtetëror kundër pushtimit të Ukrainës, u dënua në mungesë me 8 vjet e gjysmë burgim.

Në prill, aktivisti britaniko-rus Vladimir Kara-Murza u dënua me 25 vjet burgim për kritiket e tij ndaj luftës në Ukrainë.