Një gjykatë në Moskë e ka dënuar me dy vjet e gjysmë burgim aktivistin rus veteran të të drejtave të njeriut, i cili kishte folur kundër luftës në Ukrainë.
Oleg Orlov, 70 vjeç, është dërguar menjëherë në mbajtje pas gjykimit të martën, raportoi AP.
Ai është dënuar për “zhvlerësim të vazhdueshëm” të ushtrisë ruse, në një artikull që kishte shkruar, ku kishte dënuar pushtimin e Ukrainës. Orlov e ka quajtur rastin kundër tij si politikisht të motivuar.
Prokurorët kanë kërkuar të hënën që ai të dënohet me dy vjet e 11 muaj burgim.
Vendimi erdhi pas një rigjykimi pasi Orlov ishte urdhëruar më parë të paguante një gjobë. Duke nënvizuar se sa pak tolerancë ka pushteti i presidentit, Vladimir Putin, për kritikat për pushtimin e saj në Ukrainë, prokuroria apeloi gjobën, duke kërkuar një dënim më të ashpër.
Më shumë se një javë më parë, ka vdekur në burgun ku po mbahej, lideri opozitar rus, Alexei Navalny. Autoritetet ruse kanë deklaruar se Navalny nuk po ndihej mirë pas një shëtitjeje në koloninë ku po mbahej. Autoritetet e kanë detyruar nënën e tij të nënshkruajë një certifikatë vdekjeje, ku thuhej se djali i saj ka vdekur nga shkaqe natyrore.