Një gjykatë ushtarake në qytetin Rostov-on-Don në Rusinë jugore dënoi të premten 15 ushtarë ukrainas të zënë rob, duke i shpallur fajtorë për akuza terrorizmi. Ukraina e ka dënuar gjyqin, duke e quajtur atë një farsë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Të dënuarit janë pjesëtarë të batalionit Aidar, një njësi vullnetare që Rusia e ka shpallur si organizatë terroriste. Ata u dënuan me burgim nga 15 deri në 21 vjet raporton AP.
Ky është gjyqi i dytë masiv ndaj robërve të luftës nga Ukraina që nga muaji mars, kur 23 anëtarë të brigadës Azov, një tjetër njësi e njohur vullnetare, u dënuan në një proces të ngjashëm që gjithashtu u kritikua nga Ukraina si shkelje e së drejtës ndërkombëtare.
Kur nisi gjyqi ndaj pjesëtarëve të Aidarit në vitin 2023, i dërguari për të drejtat e njeriut i Ukrainës, Dmytro Lubinets, e quajti këtë gjyq “të turpshëm” dhe akuzoi Rusinë se “po i bën kriminelë ata që kanë mbrojtur atdheun e tyre”.
Grupi i njohur rus për të drejtat e njeriut, “Memorial”, i ka cilësuar të dënuarit si të burgosur politikë. Memorial ka thënë se gjyqi shkel konventat ndërkombëtare që mbrojnë robërit e luftës, sepse të pandehurit po gjykohen vetëm për faktin se ishin pjesë e batalionit Aidar - jo për ndonjë krim konkret lufte.
“Kjo është një shkelje e rëndë e Konventës së Gjenevës, e cila ndalon ndjekjen penale të robërve të luftës vetëm sepse kanë marrë pjesë në konflikt të armatosur”, thuhet në deklaratën e “Memorialit”.
Rusia ka shpallur si organizata terroriste si grupin Azov, ashtu edhe Aidar, dhe i ka akuzuar anëtarët e tyre për krime lufte. Këto njësi vullnetare u krijuan pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe morën pjesë aktive në luftimet kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.