Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia dënon me 11 vjet burgim kritikun e Kremlinit, Lev Shlosberg

Lev Shlosberg

Foto: Associated Press

Një gjykatë ruse ka dënuar të hënën me 11 vjet burgim një politikan të njohur të opozitës për qëndrimet e tij kundër luftës në Ukrainë, duke shënuar kështu një tjetër goditje ndaj opozitës përpara zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm.

Vendimi ndaj Lev Shlosbergut, një anëtar i lartë i partisë Yabloko, përbën një tjetër hap të Kremlinit për të shtypur zërat kundërshtues që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Yabloko është e vetmja parti politike zyrtare që kundërshton hapur luftën.

Shlosbergu, 63 vjeç, është nënkryetar i Yablokos dhe ka shërbyer në parlamentin rajonal të Pskovit nga viti 2016 deri në 2021. Ai është gjykuar në qytetin e Pskovit, rreth 600 kilometra në veriperëndim të Moskës, nën akuzat për “diskreditim” dhe përhapje të “informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.

Akuzat lidhen me një debat gjatë të cilit ai ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës, si dhe me publikimin në kanalin e tij në Telegram të kopertinës së parë të një tabloidi britanik, ku shfaqej një grua e gjakosur pranë një fotografie të presidentit rus, Vladimir Putin, me titullin: “Gjaku i saj... në duart e tij”.
Shlosbergu i ka hedhur poshtë akuzat si të pabazuara.

Ky ishte gjyqi i dytë ndaj Shlosbergut gjatë dy vjetëve të fundit. Ai është shpallur gjithashtu “agjent i huaj”, një etiketim që në Rusi ka konotacione të forta negative dhe sjell kontroll shtesë nga autoritetet.

Edhe I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar Botë I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar

Ai është shpallur fajtor edhe për shkeljen e rregullave që lidhen me statusin e “agjentit të huaj”.

Në dhjetor 2025, ai është vendosur në paraburgim për akuzat e reja dhe ka qëndruar pas hekurave që atëherë.

Në deklaratën e tij të fundit para gjykatës të premten, Shlosbergu ka thënë se gjatë 30 vjetëve Rusia ka ndjekur “një rrugë nga shpresat për liri drejt shkatërrimit pothuajse të plotë të të drejtave dhe lirive njerëzore dhe civile”.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka “ndryshuar jetën e çdo qytetari rus pa përjashtim” dhe ka parashikuar se, kur të bëhet i ditur numri i vërtetë i viktimave, “i gjithë vendi do të tronditet”.

Edhe Lideri i opozitës ruse dënohet me gjashtë vjet burgim Botë Lideri i opozitës ruse dënohet me gjashtë vjet burgim

Amnesty International e ka dënuar vendimin kundër Shlosbergut.

"Ndjekja penale dhe dënimi i tij arbitrar janë hakmarrje e hapur për ushtrimin e së drejtës së tij për lirinë e shprehjes, me qëllim bërjen e thirrjeve për paqe", ka thënë Marie Struthers, drejtoresha e grupit për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.