Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pushteti e opozita përplasen për energjinë

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion

Foto: Driton Paçarada

Në Komisionin për Ekonomi, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion është diskutuar për mungesën e auditimit në terren të investimeve në KEDS, tejkalimin e të hyrave të KESCO-s, si dhe ndikimin e tyre në çmimet e faturave, të cilat i paguajnë qytetarët. Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së ka pranuar se investimet e KEDS-it s’janë audituar në terren, pasi tenderi është anuluar për konflikt interesi

Çështja e blerjes së rrymës ka nxitur debat mes deputetëve të pushtetit dhe të opozitës në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kërkuar sqarime nga anëtarët e Bordit të ZRRE-së nëse KEK-u blen energji elektrike.

Sadiku u është referuar deklarimeve publike të përfaqësuesve të pushtetit, sipas të cilëve, KEK-u nuk blen energji elektrike.

“Disa prej deputetëve këtu dalin e thonë KEK-u nuk blen rrymë, edhe ministri, ministrja del thotë KEK-u nuk blen rrymë”, ka thënë Sadiku.

Ndaj tij ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.

“Po, ne kemi thënë që në masë të vogël blen rrymë, i kemi thënë”, është shprehur Kelmendi.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, duke kundërshtuar Sadikun.

Kërçeli po ashtu ka shtruar pyetje lidhur me shpenzimet në sektorin e energjisë, dhe ndikimin e tejkalimit të të hyrave nga KESCO, deri në 52 milionë euro.

“A mundeni me ma sqaru pse qytetarët duhet të paguajnë 11 euro për një faturë, për shkak të tejkalimit të planit të importit të ZRRE-së pastaj pse duhet që kjo t’u faturohet qytetarëve. Kur ky është gabim i ZRRE-së jo i qytetarëve, dhe neve na faturohet çdo muaj në çdo faturë për një planifikim jo të mirë të ZRRE-së dhe jo të qytetarëve”, ka thënë ai.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, ka thënë se çmimi i importit ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve në KESCO.

“Atëherë në lidhje me pyetjen e parë dhe të katërt, planifikimi jo i mirë i ZRRE-së dhe tejkalimi i të hyrave të KESCO-s, kjo më shumë lidhet me çmimet e importeve. Domethënë, ne e kemi një çmim që i themi çmim i lejuar i importit, i cili në vitin 2025 ka qenë 146 euro, mirëpo zakonisht gjatë periudhës së sezonit të dimrit, çmimet mund të variojnë, d.m.th. të rriten. Ne e patëm rastin tani në tetor ku çmimi mestar ka qenë afërsisht 240 për megavat orë, edhe për atë arsye ndodhin tejkalime”, ka thënë Gojani.

Për mungesën e auditimit në terren, për shqyrtimin e investimeve në KEDS dhe KOSTT, Gojani ka thënë se tenderi ka dështuar për shkak të konfliktit të interesit.

“Mirëpo ai tender ka dështuar për shkak se ka pasur çështje të konfliktit të interesit, si dikush që është, ka qenë pjesë e tenderit, duket se ka qenë edhe pjesë më herët e njërit prej operatorëve dhe për atë arsye thjesht është ndërprerë. Ne tani, për vitin 2027 i kemi paraparë prapë që në kuadër të shpenzimeve operative thjesht auditimi i investimeve në operatorin e sistemit të shpërndarjes dhe operatorin e sistemit të transmetimit dhe do të bëjmë përpjekje që më në fund ta kemi një raport të auditimit dhe të auditohen investimet”, ka thënë ai.

Ndërsa për katër komunat në veri të vendit, Gojani është shprehur se janë lejuar humbje prej 21.5 për qind, por ndikimi i tyre në përqindjen e përgjithshme të Kosovës është rreth 0.9 pikë përqindjeje. 

Rezana Bozhlani