Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbrojtja rezervon të drejtën për Apelimin e vendimit dënues për Thaçin në rastin e dytë

Hashim Tahci

Mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë ka njoftuar se e rezervon të drejtën që ta apelojë vendimin dënues ndaj klientit të saj meqë është cekur se ky dënim nuk do të kryhet paralelisht me ndonjë dënim tjetër dhe se nuk do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim

Në shpallje të aktgjykimit dënues me 17 muaj burgim për Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë, u tha se nuk do t’i llogaritej koha e kaluar në paraburgim dhe se dënimin nuk do ta kryejë paralelisht me dënimin në rastin për krime lufte, në rast që ato marrin formën e prerë.

Lidhur me këtë pikë, në një parashtresë të dorëzuar në këtë rast, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon ka thënë se e rezervon të drejtën për apelim të vendimit.

Parashtresa e Menegonit u bë pasi Prokuroria kërkoi vazhdimin e paraburgimit për Thaçin menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj tij.

“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi se, ndonëse nuk ka ndërmend të paraqesë sot parashtresa të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi, ajo rezervon të drejtën për të ushtruar ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykimit, në përputhje me nenin 46 të Ligjit, duke përfshirë edhe konstatimet e tij lidhur me vuajtjen njëkohësisht të cilitdo dënim në çështjen 12 me atë të shqiptuar në çështjen 06, si dhe me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim, përpara një Paneli të Dhomës së Apelit të Gjykatës, në kohën e duhur”, thuhet në parashtresë.

Hashim Thaçi u dënua me një vit e pesë muaj burgim nën akuzat se dha udhëzime se si të dëshmonin dëshmitarët në çështjen në të cilën ai po gjykohej për krime lufte.

Në dhjetor të 2024-s, Thaçit i shkoi fletarresti në qendrën e paraburgimit në Hagë lidhur me këtë rast.

Që nga ajo kohë, ai iu nënshtrua dy rishikimeve paralele të paraburgimit, e po ashtu edhe kërkesat për vizita humanitare në Kosovë shqyrtoheshin para gjyqtarëve të të dyja rasteve.

Në këtë rast janë dënuar edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Ndërsa, Isni Kilaj është liruar.

Ndërsa, në rastin për krime lufte, Thaçi së bashku me Jakup Krasniqin u dënuan me nga 25 vjet burgim. Ndërsa, Kadri Veseli me 18 vjet burgim si dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Ata janë duke u përballur tani me procedurat e Apelit.