Zyrtarë të UEFA-s të martën kanë zhvilluar dy takime në Kosovë.
Takimin e parë delegacioni i përbërë nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, kryetari i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, Petr Fousek dhe drejtori i Programit “HatTrick” dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre, e ka zhvilluar me ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani. Takimin e dytë e kanë zhvilluar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Zyrtarëve të UEFA-s u është përmendur ndërtimi i stadiumit nacional.
“Ministri Gashani tha se krahas vazhdimit të punëve në stadiumet ku po punohet aktualisht, shumë shpejt do të dëgjohet lajmi për fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të martën.
Ministri Gashani nuk ka dashur të zbuloj detaje.
Edhe
Stadiumi, “problemi” që Prishtina ende nuk e ka tejkaluar
“Kurdo që ka diçka, do t’ua themi”, është përgjigjur shkurt ministri Gashani për KOHËN të martën.
Projekti i Stadiumit Nacional i premtuar fillimisht qysh në vitin 2014 dhe i riaktualizuar disa herë ka mbetur në letër. Bërnica dhe Koretica janë përmendur si lokacione, por ende pa vendim konkret.
Aktualisht, Kosova e ka vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” të pranueshëm për ndeshje ndërkomëbtare të përfaqësueses A. Në rinovim janë edhe disa stadiume. Në mesin e tyre edhe stadiumi “Adem Jashari”, që është dashur të hapej edhe në vitin 2023. Por shumë afate e premtime janë shkelur për këtë stadium.
Janë premtuar edhe disa projekte të reja. Është përmendur edhe ndërtimi i një stadiumi të ri në kryeqytet.
Edhe
Fusha e tejngarkuar në “Fadil Vokrri” vazhdon të bëhet temë
“Ndërkohë, vizitën e tyre e përmbyllën me një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në fokus të diskutimeve ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, i cili u vlerësua si një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe avancimin e infrastrukturës sportive në vend. Gjatë takimit u diskutua edhe për potencialin e Prishtinës që, në një të ardhme të afërt, të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, përfshirë edhe finalet e garave të UEFA-s. Në këtë drejtim, ndërtimi i një stadiumi modern, që përmbush standardet më të larta të UEFA-s, do të krijonte mundësi të reja për pozicionimin e kryeqytetit dhe të Kosovës në hartën e organizimeve të rëndësishme të futbollit evropian”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Delegacioni i UEFA-s ka vizituar Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali dhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.