Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka kërkuar nga Ministria e Sportit dhe Rinisë (MSR) të përfundojnë sa më shpejtë të jetë e mundur punët në stadiumin “Adem Jashari”.
“Shprehëm nevojën që punimet në stadiumin “Adem Jashari”, i cili është në proces të rinovimit tash e sa vite si projekt i Ministrisë së Sportit, të finalizohen sa më shpejtë dhe të licencohet nga UEFA si stadium i kategorisë së katërt. Me këtë rast kërkoj nga Ministria e Sportit dhe të gjithë të përfshirët në këtë projekt që mos të ketë neglizhencë, pasi çdo vonesë mund të na rrezikojë që të detyrohemi të zhvendosemi jashtë vendit, duke pasur parasysh se ende jemi duke operuar vetëm me një stadium për garat evropiane të klubeve dhe të ekipeve kombëtare”, shkruan në postimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, të martën pas takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.
Takimi i Ademit me Pecin është mbajtur në objektin e Komunës së Mitrovicës.
Rinisja e rinovimit të plotë të stadiumit “Adem Jashari” kishte nisur në shkurt të vitit 2024. Por afati nuk u respektua, ndonëse plani ishte që rinovimi të përfundonte për 22 muaj. Punët nuk duket se do të përfundojnë shpejtë.
