Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt, të martën janë arrestuar edhe katër persona të tjerë. Në mesin e tyre janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati tjetër që dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. E dy personat tjerë të arrestuar dyshohen se ndihmuan kryesin të largohet e të strehohet, pasi e ka vrarë Zekajn
Edhe katër persona janë arrestuar të martën në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Krahas ish-bashkëshortit që është ndaluar në Polici më 28 tetor, pak orë para se ajo të vritej, dhe ish-kunatit Alber Sylaj, që është kapur nën dyshimin se ka kryer vrasjen, të martën janë arrestuar edhe ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, si dhe ish-kunati tjetër i saj, me dyshimin për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Dy persona të tjerë të arrestuar dyshohen se ndihmuan kryesin të largohet e të strehohet, pasi e ka vrarë Zekajn.
“Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen. Në kuadër të procedurës penale, prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve me inicialet N. S., D. S., M. P. dhe G. B.
Avokati Besnik Berisha, i cili është mbrojtës i familjes së Arlinda Zekajt, ka thënë se është kërkuar që nga fillimi të arrestohen edhe personat që kanë ndihmuar në vrasje.
“Si avokat kam adresuar disa kërkesa dhe në mesin e tyre është që të merren veprime edhe të këtij spektri, të arrestohen edhe persona që kanë ndihmuar në vrasjen e saj dhe vrasësin makabër, pra që të merren persona në përgjegjësi edhe ata të familjes, ndër ta edhe vëllai i ish-bashkëshortit dhe nëna e tij. Ky rezultat për ne nuk është rastësi”, ka thënë ai.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, është vrarë më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkaq, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes është ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Ajo vazhdimisht kishte alarmuar për rrezikun për jetë që i kanosej. Për këtë, edhe i kishte shkruar Prokurorisë, Gjykatës e Policisë.
Rasti i saj ka nxitur reagime të mëdha në gjithë Kosovën. Janë mbajtur disa protesta e po ashtu janë shkarkuar prokurorë e policë që janë marrë me rastin. Për këtë, ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Po ashtu është themeluar edhe Komision parlamentar për të hetuar veprimet apo mosveprimet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.