Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Komisioni parlamentar rekomandon miratimin e ligjit të kthyer nga Vjosa Osmani

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Dy vjet pas vetos së presidentes Vjosa Osmani për rikthimin në Kuvend, Ligji për Këshillin e Sigurisë do të rishqyrtohet nga legjislativi. Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka rekomanduar të martën rrëzimin e vetos së presidentes së asaj kohe dhe miratimin e ligjit

Pos atij për Gjykatën Speciale, Kuvendi ka në agjendë edhe një ligj tjetër të kthyer nga presidentja, pas miratimit nga deputetët në dy lexime.

Në nëntor të vitit 2024, presidentja Vjosa Osmani e pati kthyer për rishqyrtim Ligjin për Këshillin e Sigurisë, me arsyetimin që përmbajtja e tij rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Por, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka rekomanduar të martën miratimin e tij nga Kuvendi.

“Meqenëse në këtë fazë të shqyrtimit nuk lejohet paraqitja e propozimeve e amendamente, propozoj që Komisioni t’i rekomandojë Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e ligjit në tekstin siç është miratuar në leximin e dytë. Vendimi përfundimtar i mbetet Kuvendit”, ka thënë Mefail Bajqinovci, kryetar i Komisionit.

Shkaku që nga kthimi i ligjit e deri tash, shumicën e kohës Kuvendi nuk ka qenë funksional, vetoja e presidentes nuk është trajtuar.

Dilema për afatet që lidhen me vendimmarrjen i ka ngritur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Duke pasur parasysh që ky ligj është kthyer nga presidentja Osmani, në bazë të rregullores që është në fuqi, ky ligj i ka kaluar të gjitha afatet e lejuara, nëse s’gaboj”, ka thënë ajo.

Pos sipas Bajqinovcit, gjithçka është në rregull.

“Opinioni i zyrës së Kuvendit, pra zyrës ligjore, është që është në rregull. Nuk ka afate procedurale për këtë çështje”, ka thënë ai.

Situatë pak a shumë e njëjtë është edhe me Ligjin për Specialen. Ai është votuar në dy lexime, është dërguar në Presidencë për dekretim, por në ditën e fundit të afatit për këtë, është kërkuar nga sponsorizuesi i tij – PDK-ja, që të kthehet në Kuvend. Ndërkohë, PDK-ja e VV-ja janë pajtuar për një nismë të re ligjore lidhur me këtë, pa e trajtuar veton e presidentes.

E në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, janë diskutuar edhe çështje të tjera, të martën.

Temë ishte edhe lëndimi i ushtarëve të FSK-së nga shpërthimet e municioneve.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar që Ministria e Mbrojtjes të ofrojë sqarime për rastet që kanë ndodhur.

“Mendoj që kërkesa jonë duhet të jetë tepër e qartë, duhet të ketë auditim dhe hetim të plotë, për atë se kush i ka blerë, nëse është problemi te municioni, kush e ka blerë municionin, kush e ka bërë kontrollin e cilësisë, dhe kush e lejon për përdorim”, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, e ka kundërshtuar atë dhe ka thënë se Komisioni mund të kërkojë informacione, por jo të udhëzojë institucionet për mënyrën se si duhet të veprojnë.

“Mos të tejkalojmë veprimtarinë tonë, na i kem në mbikëqyrje, po me bo pyetje, por jo me tendenca me i mësu çka me bo Ministria. Kemi pas vizitë, kemi marrë përgjigje për këtë pyetje”, ka deklaruar Zyba.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetes Musliu.

“Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë Komision. Nëse për diçka s’kemi tendenca, për diçka jemi të kujdesshëm, janë çështjet e sigurisë, shoh shumë të arsyeshme, janë çështje që ndodhin, por kur këto fillojnë me u përsërit, pastaj ngritët shqetësimi”, ka theksuar ajo.

Një ditë më parë, gjatë një trajnimi në poligonin ushtarak në fshatin Babaj të Bokës, është lënduar një ushtar. Në Qendra Klinike Universitare kanë konfirmuar se ai është në gjendje stabile dhe se do të trajtohet në Klinikën e Ortopedisë. Ndërkaq, Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se është duke hetuar rrethanat e lëndimit të ushtarit.