Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shkolla “Xhavit Ahmeti” i jep ultimatum Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit

Foto: Arkiv

Një shkollë ka paralajmëruar kontestimin në Gjykatën Supreme të udhëzimit administrativ që kërkon kthimin dhe ripërdorimin e teksteve shkollore. Sipas Këshillit Drejtues të shkollës “Xhavit Ahmeti”, kërkesa është e jashtëligjshme

Shkolla fillore e mesme e ulët “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, i ka dhënë ultimatum Ministrisë së Arsimit ta shfuqizojë Udhëzimin Administrativ për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, përdorimin dhe ruajtjen e tyre.

Nëse këtë nuk e bën brenda dy javësh, Këshilli Drejtues i shkollës ka paralajmëruar se dokumentin do ta çojë në Gjykatë Supreme, me pretendimin se është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Sipas këtij këshilli, është e kundërligjshme kërkesa për kthimin dhe ripërdorimin e librave.

“Neni 26, paragrafi 4 i ligjit përcakton se tekstet shkollore për arsimin e detyrueshëm sigurohen falas, ndërsa UA 13/16 ka vendosur skemën e kthimit dhe ripërdorimit të tyre, duke krijuar obligime që nuk parashihen në ligj. Po ashtu, neni 5, pika 1.13 e Ligjit për Arsimin Parauniversitar i jep Ministrisë të drejtën të nxjerrë akte nënligjore vetëm për zbatimin e dispozitave të neneve 26 dhe 27 të ligjit dhe jo të krijojë norma që e ndryshojnë ose e tejkalojnë përmbajtjen e tij”, thuhet në reagimin e Këshillit drejtues të kësaj shkolle.

Sipas Këshillit Drejtues të shkollës, kthimi dhe ripërdorimi i teksteve shkollore nuk funksionon, pasi ato shpesh dëmtohen ose përmbajnë ushtrime të plotësuara nga nxënësit. Drejtuesit e shkollës kanë thënë se skema u shkakton shkollave edhe ngarkesë administrative dhe krijon mosmarrëveshje me prindërit.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit lidhur me këtë kërkesë, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, nuk sheh kundërthënie mes udhëzimit administrativ dhe ligjit. Megjithatë, sipas tij, problem mbetet zbatimi praktik i tij.

“Udhëzimi administrativ të cilit po i referohemi nuk parasheh subvencionim, parasheh procedura të cilat përfundojnë me dorëzimin e librave nxënësve në shkolla dhe pastaj me kthimin e atyre librave që mund të kthehen në fund të vitit. Subvencionimi është diçka që ka ndodhur për disa arsye të tjera në tri vitet e fundit dhe unë mendoj se duhet hequr dorë nga subvencionimi, për shkak se çmimet e librave po ndryshojnë me pakicë dhe me shumicë”, ka thënë Pupovci.

Ligji për Arsimin Parauniversitar përcakton që Ministria nxjerr akt nënligjor për shpërndarjen e teksteve shkollore falas dhe ruajtjen e tyre. Ndërkaq, Udhëzimi Administrativ obligon nxënësit dhe prindërit për ruajtjen dhe kthimin e teksteve shkollore, si dhe obligon zëvendësimin e tyre në rast dëmtimi.