Botë

Putini hesht rusët që kundërshtojnë luftën

protesta, anti-lufte, 14 prill, moske, rusia

Ligji kundër përhapjes së “lajmeve të rreme” rreth luftës apo përçmimit të ushtrisë u miratua nga Parlamenti brenda një dite dhe hyri në fuqi menjëherë, duke ekspozuar cilindo që kritikon pushtetin e Putinit dhe luftën në Ukrainë

Një ish-polic që foli për luftën e Ukrainës në telefon. Prift që predikoi për vuajtjen e ukrainasve në meshën e tij. Studenti që mbajti banderolën pa fjalë vetëm yje.

Qindra qytetarë rusë janë duke u përballur me dënime për shkak se flasin kundër luftës në Ukrainë qëkur u miratua ligji që dënon shpërndarjen e lajmeve “të rreme” për luftën dhe nënçmimin e ushtrisë.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se shtypja e protestuesve ka shkuar deri në persekutime dhe ndoshta edhe te burgimi i së paku 23 personave nën akuzat për shpërndarjen e lajmeve të rreme. 500 të tjerë po përballen me gjoba nën akuzat se janë tallur me ushtrinë ruse.

është numër i madh, numër paimagjinueshëm i lartë i rasteve”, thotë Damir Gainutdinov, udhëheqës i “Net Freedoms”, grup i ndihmës juridike, i përqendruar në rastet e lirisë së shprehjes.

Kontroll i rreptë

Kremlini ka kërkuar të kontrollojë raportimet për luftën që nga momenti kur ushtria ruse ia mësyn Ukrainës. Kremlini luftën në Ukrainë e ka cilësuar si “operacion special” dhe rriti presionin ndaj mediave të pavarura ruse që e quajtën “luftë” ose “pushtim”. Rusia gjithashtu bllokoi qasjen në shumë faqe të lajmeve, të cilat devijoheshin nga linjat zyrtare të Rusisë.

Arrestimet masive shtypën protestat kundër luftës, duke i kthyer ato nga ngjarje të përditshme në qytete të mëdha si Moska dhe Shën Petersburgu në ngjarje të rralla që mezi rroknin vëmendje.

Megjithatë, në qytete të ndryshme të Rusisë ka njoftime se policia ka arrestuar persona të vetëm që protestonin në qytete të ndryshme të Rusisë, pothuajse çdo ditë.

Edhe veprimet në dukje të pandershme kanë çuar në arrestime.

Një burrë u arrestua në Moskë pasi qëndroi pranë një monumenti të Luftës së Dytë Botërore, që thotë “Kiev” për qëndrimin heroik të qytetit kundër Gjermanisë naziste dhe duke mbajtur një kopje të “Luftës dhe Paqes”, vepër e Tolstoit. Thuhet se një tjetër u arrestua për mbajtjen e një pakoje proshutë të prerë nga prodhuesi i mishit “Miratorg”. Pjesa e parë e emrit të prodhuesit iu hoq, kështu mbeti vetëm fjala “Mir”, që në rusisht do të thotë “Paqe”.

Ligji kundër përhapjes së “lajmeve të rreme” rreth luftës apo përçmimit të ushtrisë u miratua nga parlamenti brenda një dite dhe hyri në fuqi menjëherë, duke ekspozuar cilindo që kritikon.

Rastet e para penale të njohura publikisht lidhur me “lajmet e rreme” kishin cak figura publike si Veronika Belotserkovskaya, autore e librave të gatimit në gjuhën ruse dhe blogere popullore që jeton jashtë vendit dhe Aleksandër Nevzorov, gazetar televiziv, regjisor filmi dhe ish-ligjvënës.

Të dy u akuzuan për postimin e “informacionit të rremë” në lidhje me sulmet ruse në infrastrukturën civile në Ukrainë. Postimet i bënë në faqet e tyre të ndjekura gjerësisht në rrjetet sociale, diçka që Moska e ka mohuar me forcë, duke këmbëngulur se forcat ruse goditën vetëm objektivat ushtarake që kishte për cak.

Por pastaj fusha e arrestimeve u zgjerua, me policinë që dukej se kapte cilindo.

Dënimet masive

Image

500 rusë përballen me gjoba të larta nën akuzat se janë tallur me ushtrinë ruse në lidhje me luftën në Ukrainë


Ish-polici Sergei Klokov është ndaluar dhe vënë në mbajtje pasi diskutoi luftën me shokët e tij në telefon. Gruaja e tij tha për Meduza se në biseda të zakonshme në shtëpi, Klokov, i cili është lindur në Irpin afër Kievit dhe babai i të cilit jetonte në Ukrainë në momentin kur nisi pushtimi, kundërshtonte luftën.

Kokov u dënua për shpërndarjen e informacioneve të rreme për forcat e armatosura ruse dhe mund të përballet deri në 10 vjet burgim.

Artistja e Shën Petersburgut, Sasha Skolichenko, gjithashtu përballet deri me 10 vjet burgim me të njëjtën akuzë: Ajo zëvendësoi etiketat e çmimeve në një dyqan ushqimor me fletushka kundër luftës.

Ioann Burdin, prift ortodoks rus në një fshat rreth 300 kilometra në verilindje të Moskës, u gjobit me 35,000 rubla (432 dollarë) për “diskreditimin e forcave të armatosura ruse” pasi postoi një deklaratë kundër luftës në faqen e internetit të kishës së tij dhe duke folur me dhjetëra besimtarë gjatë një shërbimi për dhimbjen që ndiente mbi njerëzit në Ukrainë.

Burdin thotë se fjalimi i tij ngjalli reagime të përziera. “Një grua bëri një skenë mbi faktin se unë jam duke folur për (atë) kur ajo sapo erdhi për t'u lutur”, thotë ai, duke shtuar se besonte se njëri nga pjesëmarrësit në meshë raportoi në polici.

Marat Graçev, drejtor i një dyqani që riparon prodhimet e Apple në Moskë, në mënyrë të ngjashme u fut në telashe kur shfaqi një lidhje me një peticion online të titulluar “Jo luftës” në një ekran në dyqan. Shumë klientë shprehën mbështetje kur e panë atë, por një i moshuar kërkoi ta hiqte, duke kërcënuar se do ta raportonte në polici.

Policia u paraqit shpejt dhe Graçev u akuzua për diskreditimin e ushtrisë. Një gjykatë e urdhëroi të paguante një gjobë prej 100 mijë rublash (1,236 dollarë).

Një gjykatë tjetër vendosi kundër studentit të Moskës Dmitri Reznikov për paraqitjen e një cope letre të bardhë me tetë asteriskë, që mund të interpretohej se qëndronte për "Jo luftës" në rusisht, një këngë popullore nga protestuesit. Gjykata e shpalli atë fajtor për diskreditimin e forcave të armatosura dhe e gjobiti atë me 50,000 rubla (618 dollarë) për mbajtjen e shenjës në Moskën qendrore në një demonstratë në mes të marsit që zgjati vetëm disa sekonda para se policia ta arrestonte atë.

"Është teatri i absurdit", i tha AP-së avokati i tij Oleg Filatçev.

Një gjykatë e Shën Petërburgut javën e kaluar e gjobiti Artur Dmitriev për një shenjë që përmbante citim të presidentit Vladimir Putin , megjithëse me disa fjalë të hequra për shkurtim nga parada e vitit të kaluar e Ditës së Fitores që shënonte humbjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

"Lufta solli kaq shumë sfida të padurueshme, pikëllim dhe lot, saqë është e pamundur të harrohet. Nuk ka falje dhe justifikim për ata që edhe një herë kanë plane agresive", kishte thënë Putin, sipas uebsajtit të Kremlinit.

Gainutdinov i Net Freedoms thotë se gjithçka rreth ushtrisë apo Ukrainës mund ta bëjë cak të policisë. Edhe veshja e një kapele me blunë dhe arin e flamurit ukrainas apo një shirit të gjelbër, që konsiderohet simbol i paqes, janë gjetur për të diskredituar ushtrinë, shtoi avokati.

Reznikov, i cili po apelon dënimin e tij për posterin me asteriskë, tha se e gjeti shtypjen të frikshme. Pas dënimit të tij të parë për shpërdorim, një grevë e dytë do të rezultojë në ndjekje penale dhe një burgim të mundshëm deri në tre vjet.

Si Burdin ashtu edhe Graçev, të cilët gjithashtu do të apelojnë dënimet, morën donacione që i tejkaluan gjobat e tyre.

“E kuptova se sa e rëndësishme është, sa e vlefshme është të marrësh mbështetje”, thotë Graçevi.

Burdin shton se publiciteti rreth rastit të tij e përhapi mesazhin e tij shumë më tepër se dyzinë njerëzish që fillimisht dëgjuan predikimin e tij , e kundërta e asaj që autoritetet me sa duket synonin duke e gjobitur atë.

“Është e pamundur ta quash atë diçka tjetër përveçse dhënien e Perëndisë", shtoi prifti. "Fjalët që thashë arritën një numër shumë më të madh njerëzish”.

Përktheu: Dudije Cena

Image