Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka përmendur tre klerikë si kandidatë për ta pasuar në rast se vritet, ka raportuar New York Times duke cituar tre zyrtarë iranianë.
Në rast të vdekjes së liderit suprem, kushtetuta e Iranit kërkon që Parlamenti i Ekspertëve, organ klerikal me 88-anëtarë, të zgjedhë pasuesin. Procesi është përdorur vetëm një herë që nga Revolucioni Islamik i 1979-s, kur Khamenei u zgjodh më 1989.
Sipas zyrtarëve, Khamenei ka kërkuar tranzicion të shpejtë në rast të vdekjes së tij.
Pas raportimeve të mëhershme se presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar planet e Izraelit për ta vrarë Khamenein, vetë Trumpi ka thënë se lideri suprem i Iranit “është cak i lehtë”.
“E dimë saktësisht se ku po fshihet i ashtuquajturi lider suprem”, ka shkruar Trumpi në “Truth Social” të martën. “Ai është cak i lehtë, por është i sigurt aty – nuk do ta heqim qafe, të paktën tani për tani”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, s’e ka përjashtuar mundësinë që Khamenei të jetë cak i luftës, duke thënë se vdekja e tij nuk do ta përshkallëzonte konfliktin, por do t’i jepte fund atij.
E ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, shkoi edhe më tej duke thënë se Khamenei nuk duhet të lihet të jetojë pasi një raketë iraniane goditi një spital në Izrael.
