Botë

Kaosi mjedisor i 2020-s

“Mirë se vini në normalitetin e ri mjedisor: zjarre të vrullshme, stuhi më të mëdha dhe më të shpeshta dhe gjithnjë e më shumë thatësi”, kështu shkruhet në hyrje të analizës vjetore për kaosin mjedisor.

2020-a nisi me Australinë që përjetoi vitin më të tmerrshëm me zjarre masive.

Më shumë se 6 për qind e territorit u përfshi në flakë dhe mbi tre milionë kafshë ngordhën sherri i zjarreve.

Flakët patën pasoja edhe në njerëz. Më shumë se 20 australianë vdiqën, për shkak të tyre gjatë vitit 2020.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjetuan më vonë zjarre të rrufeshme me përmasa rekorde.

Pjesët tjera të SHBA-së, Amerikës Qendrore dhe Azisë Juglindore u goditën nga stuhi të tmerrshme tropikale. Dhe thatësia e zgjatur mund të jetë njëra prej më të rëndave në 1.200 vjetët e fundit në Shtetet e Bashkuara, derisa dukuria po merr përmasa edhe me shqetësuese në Sahara.

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia mund të nxisë ulje të theksuar të emetimeve të dyoksidit të karbonit; është projektuar të ketë rënie prej 11 për qind në SHBA. Por, pasojat e vitit 2020 në aspektin mjedisor do të ndihen edhe në vitin e ardhshëm, kur pritet të ketë rikthim të ngritjes ekonomike në shkallë botërore.

Liderët e botës u mblodhën në një samit virtual në dhjetor, për ta shënuar pesëvjetorin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën dhe dhanë zotime domethënëse për një botë pa dyoksid karboni në mjedis. Por, heqja dorë prej këtyre zotimeve është punë fare e lehtë.

Kina, njëherësh, nuk ka treguar gatishmëri për t’u sprapsur prej planeve ambicioze të ndërtimit të impianteve me djegie qymyri, një burim ky i rëndësishëm i ndotjes.

Në mbarë botën po alarmohet se mos po teprohet me shkallën e ndotjes. Por, mbase veçse është tepruar.

Një ajsberg i madh është shkëputur nga Akullnaja e Ishullit Pine në skaj të Antarktikës, sipas fotografive satelitore nga Agjencia Hapësinore Evropiane. Ajsbergu ishte me madhësi prej 300 kilometra katrorë dhe pas ndarjes nga akullnaja amë “shpejt është shpërbërë në copa”. Organizata Botërore e Meteorologjisë ka bërë të ditur se një hulumtim në Antarktikë ka regjistruar temperaturën më të lartë të kontinentit deri më tani - 18.3 gradë celcius.

Bregdeti lindor i Australisë e ka mirëpritur shiun më të madh pas disa vjetësh, që i ka shuar disa nga zjarret më të mëdha të vendit dhe e ka zbutur thatësinë që e kishte kapluar bujqësinë përreth dy shteteve. Uellsi i Ri Jugor, shtet lindor bregdetar ku jeton rreth një e treta e popullësisë australiane, ka pasur zona që janë mbushur me ujë nga të reshurat e mëdha pas gati 30 vjetësh, ku ka pasur paralajmërime për mot të vështirë dhe vërshime.

Të mësuar me dimrat e pandërprerë, banorët e Moskës ishin mrekulluar këtë vit nga temperaturat pranverore dhe trotuaret pa borë, pasi që kryeqyteti rus evidentoi janarin më të ngrohtë në histori. Ishte kjo hera e parë që temperatura mesatare në Moskë ishte rreth zero gradë celsius, sipas ekspertëve meteorologjikë rusë, të cilët thanë se qyetit i ka thyer rekordet për mot të ngrohtë edhe në shkurt.

Vendet në Afrikën Lindore kanë nxituar për t’i parandaluar tufat e reja të karakalecave që kanë bërë kërdi tek të korrat dhe vendbanimet pas infektimit më të keq pas disa vjetve, që ndodhi në shkurt. Kushtet e pazakonta të motit janë përkeqësuar nga ndryshimi klimatik, mungesa së pesticideve, paqëndrueshmëria në rajon ndërsa mungesa e ekspertizës për t’i kontrolluar insektet kishte krijuar kushte ideale që të rritet numri i këtyre insekteve.

Vërshimet të shkakatuara nga shiu i rrëmbyeshëm kanë paralizuar pjesë të mëdha të kryeqytetit të Indonezisë, pasi rrugët kryesore ishin mbuluar me ujë të kaftë e të turbullt dhe disa pjesë të qytetit kishin mbetur pa rrymë. Në një zonë banimi në Xhakartën Perëndimore, banorët ishin evakuar me gomone. Agjencia e motit në Indonezi i lidhi të reshurat me ciklonët tropikalë në Australi dhe në Oqeanin Indian që kishin shkaktuar mot të keq në ishujt e Javës, Balit dhe Nusa Teggarës. Agjencia gjithashtu ka paralajmëruar për dallgë të mëdha në detet në jug të Xhavës.

Qindra pjesëtarë të komunitetve vendase kanë mbetur të pastrehë në Amazonën Ekuadoriane pas vërshimeve të jashtëzakonshme. Komunitetet vendase thonë se kanë mbetur të ekspozuar dhe të ndjeshëm ndaj ndikimeve klimatike, pasi agjencitë qeveritare i kanë përdorur fondet publike për ta ndaluar koronavirusin.

Një thatësi e papritur në prill është pasuar me një zjarr në pyll që ka shkatërruar një zonë malore në Gummersbach në perëndim të Gjermanisë. Udhëheqësi i Asociacionit të Industrisë Gjermane të Pyjeve ka thënë se ka pasur vetëm 5 për qind të reshjeve të zakonshme të prillit. Ekpertët mjedisorë kanë thënë se frikësohen për të ardhmen e pyjeve të Gjermanisë posaçërisht pas një stine dimri të thatë.