Botë

Kandidati që humbi zgjedhjet në Rumani kërcënon se do të kërkojë anulimin e tyre

George Simione

Foto: Associated Press

Kandidati ultranacionalist i cili ka humbur në balotazhin presidencial të dielën në Rumani, George Simion, ka deklaruar se do t'i kërkojë gjykatës së lartë të vendit të anulojë votimin për të njëjtat arsye, ndërhyrje e huaj, që ka çuar në anulimin e votimit të parë vitin e kaluar.

Simion, i cili u mund në balotazhin e së dielës nga kryetari liberal i Bukureshtit, Nicusor Dan, ka thënë të martën se do t'i kërkonte gjykatës kushtetuese anulimin e balotazhit, raporton The Guardian.

Zgjedhjet, të cilat Dan i ka fituar me një diferencë prej 53.6% ndaj 46.4% të Simione, ishin hera e dytë që mbahej votimi. I pari, nëntorin e kaluar, është anuluar nga gjykata pas rundit të parë, mes akuzave për shkelje të financimit të fushatës dhe ndërhyrjes ruse.

Fituesi i votimit të anuluar, Calin Georgescu, ishte ndaluar të vazhdonte përsëri garën dhe është nën hetim zyrtar për akuza që përfshijnë keqraportimin e shpenzimeve të fushatës, përdorimin e paligjshëm të teknologjisë dixhitale dhe promovimin e grupeve fashiste. Ai mohon çdo keqbërje.

“Ashtu si Calin Georgescu u largua dhe zgjedhjet u anuluan, ne do të sfidojmë zgjedhjen e Nicusor Dan për të njëjtat arsye”, ka thënë Simion, një ish-sulmes i futbollit, kritik ndaj BE-së dhe admirues i Trump-it.

"Pse? Sepse kishte blerje votash”, ka shtuar Simion, i cili zyrtarisht ka pranuar fitoren e Danit të dielën mbrëma, pasi fillimisht pretendonte se kishte fituar. 

Simioni ka pretenduar vazhdimisht mashtrime zgjedhore pa dhënë prova. Vendimi i tij i vonuar për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse nuk ka gjasa të ketë sukses, do të zgjasë pasigurinë politike në Rumani, e cila është me një qeveri të përkohshme.