Kryetari i Komunës së Bukureshtit, Nicusor Dan, i ka fituar zgjedhjet në balotazhin presidencial kundër kandidatit ultranacionalist, George Simion, ka raportuar BBC.
Pas numërimit të 100 për qind të votave, Dan ka marrë përkrahjen e 6.17 milionë banorëve apo 53.6 për qind të votave, derisa kundërkandidati i tij, Simion, ka fituar 5.34 milionë vota apo 46.4 për qind.
Dan iu drejtua mbështetësve, duke thënë se kjo fitore tregon se Rumania mund të ndryshojë.
“Është fitorja e juaj, e dini. Është fitorja e mijëra e mijëra njerëzve që bënë fushatë, që besuan se Rumania mund të ndryshojë. Mos e harroni këtë forcë, sepse kemi ende punë për të bërë”, ka deklaruar Dan.
Simion e pranoi mbrëmjen e së dielës disfatën, derisa uroi kundërkandidatin për fitoren.
“Jam krenar për ju dhe e përgëzoj kundërshtarin tim për fitoren”, tha Simion në një postim në Facebook.