Kandidati nacionalist i krahut të djathtë, i cili është kundër ofrimit të mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe është skeptik për BE-në, ka shënuar një fitore të madhe në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.
George Simion doli i pari me 40.96% të votave dhe do të shkojë në balotazh në 18 maj si favorit i qartë kundër kryebashkiakut liberal të Bukureshtit, Nicusor Dan.
Dan ka mundur me rezultat të ngushtë Crin Antonescu, kandidat i koalicionit qeverisës, me më pak se 21% të votave, raporton BBC.
Gjashtë muaj më parë, zgjedhjet presidenciale në Rumani përfunduan në skandal dhe konfuzion. Ato u fituan nga një i huaj radikal me prirje mistike, Calin Georgescu, por rezultati i tyre është anuluar mbi akuzat për mashtrim në fushatë dhe ndërhyrje ruse.
Pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën, Simion falënderoi ata që e votuan.
“Ishte një akt guximi, besimi dhe solidariteti”, ka thënë ai në një mesazh të regjistruar.
"Këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me një kandidat apo një tjetër, por për çdo rumun që është gënjyer, injoruar, poshtëruar dhe ende ka forcën për të besuar dhe mbrojtur identitetin dhe të drejtat tona”, kishte shkruar Simion në X të premten.
Simion, 38 vjeç, është një admirues i presidentit amerikan Donald Trump. Ai i ka thënë BBC-së se beson në një NATO të fortë dhe është në favor të mbajtjes së bazave të NATO-s dhe trupave amerikane në Rumani, nëse ai bëhet president.