Botë

Izraeli ka vrarë 14 shkencëtarë që qëndronin pas programit bërthamor të Iranit

Iran

Foto: Associated Press

Dëmet e luftës që Izraeli ia ka shkaktuar Iranit, përfshijnë vrasjen e të paktën 14 shkencëtarëve, duke u konsideruar kështu një sulm i paprecedent ndaj trurit që qëndron pas programit bërthamor të Iranit.

Ekspertët e jashtëm thonë së kjo vetëm mund ta kthejë prapa Iranin, por jo ta ndalojë atë. 

Në një intervistë për Associated Press, ambasadori i Izraelit në Francë, Joshua Zarka, ka thënë se vrasjet do ta bëjnë "pothuajse" të pamundur për Iranin të ndërtojë armë nga çdo infrastrukturë dhe material bërthamor që mund t’u ketë mbijetuar gati dy javë sulmesh ajrore izraelite, dhe po ashtu bombave masive që shkatërrojnë bunkerët, të hedhura nga bombarduesit e fshehtë amerikanë.

"Fakti që i gjithë grupi u zhduk në thelb po e kthen programin prapa me disa vite”, ka thënë ambasadori Zarka.

Por analistët bërthamorë thonë se Irani ka shkencëtarë të tjerë që mund të zënë vendin e tyre. 

Qeveritë evropiane thonë se vetëm forca ushtarake nuk mund të zhdukë njohuritë bërthamore të Iranit, prandaj ata duan një zgjidhje të negociuar për të qetësuar shqetësimet në lidhje me programin iranian.

“Sulmet nuk mund të shkatërrojnë njohuritë që Irani ka fituar gjatë disa dekadave, as ndonjë ambicie të regjimit për të përdorur ato njohuri për të ndërtuar një armë bërthamore”, u ka thënë sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ligjvënësve në Dhomën e Komunave.

Zarka i ka thënë AP-së se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 14 fizikanë dhe inxhinierë bërthamorë, udhëheqës të lartë shkencorë iranianë që "në thelb kishin gjithçka në mendje".

Ata u vranë "jo për shkak të faktit se dinin fizikë, por për shkak të luftës në të cilën ishin përfshirë personalisht, krijimit, fabrikimit dhe prodhimit të një arme bërthamore", ka deklaruar ai.

Ushtria izraelite ka thënë se nëntë prej tyre janë vrarë në valën e parë të sulmeve të Izraelit më 13 qershor. Sipas ushtrisë, ata "posedonin dekada përvojë të akumuluar në zhvillimin e armëve bërthamore" dhe përfshinin specialistë në kimi, materiale dhe eksplozivë, si dhe fizikanë.

Të martën, televizioni shtetëror iranian ka raportuar vdekjen e një shkencëtari tjetër bërthamor iranian, Mohammad Reza Sedighi Saber, në një sulm izraelit, pasi ai i kishte mbijetuar një sulmi të mëparshëm që vrau djalin e tij 17-vjeçar më 13 qershor.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Armëpushimi i Trumpit nuk zgjat as dy orë