Ushtria izraelite deklaroi të shtunën se sulmet ajrore të ndërmarra një ditë më parë ndaj objekteve bërthamore të Iranit kanë rezultuar me vrasjen e nëntë shkencëtarëve kryesorë të programit bërthamor iranian.
“Gjatë sulmit të Forcave Ajrore të Izraelit në fillim të operacionit ‘Zgjimi i Luanit’, janë eliminuar nëntë shkencëtarë dhe ekspertë të lartë që kishin rol kyç në avancimin e programit të armëve bërthamore të regjimit iranian”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite, duke përmendur edhe emrat e të vrarëve.
Shkencëtarët iranianë që Izraeli pretendon se i ka vrarë:
Fereydoon Abbasi, ekspert i inxhinierisë bërthamore;
Mohammad Mehdi Tehranchi, ekspert i fizikës;
Akbar Motalebi Zadeh, ekspert i inxhinierisë kimike;
Saeed Barji, ekspert i inxhinierisë së materialeve;
Amir Hassan Fakhahi, ekspert i fizikës;
Abd al-Hamid Minoushehr, ekspert i fizikës së reaktorëve;
Mansour Asgari, ekspert i fizikës;
Ahmad Reza Zolfaghari Daryani, ekspert i inxhinierisë bërthamore;
Ali Bakhouei Katirimi, ekspert i mekanikës.
Sipas autoriteteve izraelite, eliminimi i këtyre figurave përbën goditje të rëndësishme për aftësinë e regjimit iranian për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.
Izraeli ka goditur gjithashtu aeroporte iraniane, përfshirë aeroportin kryesor të Teheranit, Mehrabad, si dhe aeroportin në qytetin veriperëndimor të Tabrizit, të cilët janë shënjestruar disa herë.
