Izraeli ka thënë se ka vrarë të hënën shefin e inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit, Gjeneral Majid Khademi.
“Udhëheqësit e Iranit jetojnë me ndjenjën se janë në shënjestër. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim një nga një”, thuhet në njoftimin e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz.
Katz ka shtuar se Izraeli kishte “dëmtuar rëndë” edhe industritë e çelikut dhe petrokimisë të Iranit.
“Ne do të vazhdojmë të shtypim infrastrukturën kombëtare iraniane dhe të çojmë në erozionin dhe rrëzimin e regjimit terrorist, si dhe aftësitë e tij për të nxitur terrorin dhe zjarrin ndaj shtetit të Izraelit”, ka shtuar Katz.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer një valë sulmesh ndaj Iranit të hënën, duke vrarë më shumë se 25 persona, dhe Irani u përgjigj me zjarr raketash ndaj Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë të Gjirit.
Afati i fundit i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Teheranin për të rihapur Ngushticën e Hormuzit po afrohet, teksa ndërmjetësit kanë lëshuar një propozim të ri për armëpushim.
Edhe
Irani konfirmon vrasjen e shefit të Inteligjencës të Gardës Revolucionare
Shpërthime janë dëgjuar në Teheran dhe avionë që fluturonin ulët mund të dëgjoheshin për orë të tëra, ndërsa kryeqyteti bombardohej.
Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë aktivizuar të gjitha sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore për të kapur raketat dhe dronët iranianë që vinin, ndërsa Teherani vazhdoi të ushtronte presion mbi fqinjët e saj të Gjirit.
Sulmet e rregullta të Iranit ndaj infrastrukturës rajonale të energjisë dhe kontrolli i tij në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës botërore në kohë paqeje, kanë rritur çmimet globale të energjisë.
Irani konfirmon vrasjen e shefit të Inteligjencës të Gardës Revolucionare
Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka njoftuar vrasjen e shefit të tyre të Inteligjencës, Majid Khademi, raportoi BBC-ja.
Në deklaratë thuhet se ai u vra këtë mëngjes nga sulmet e Izraelit dhe SHBA-së.
Khademi pati zëvendësuar Mohammad Kazemin, i cili u vra gjithashtu në një sulm izraelit më 15 qershor 2025 gjatë luftës 12-ditore Iran-Izrael.
Në shkurt, pas protestave vdekjeprurëse antiqeveritare në janar, Khademi kishte akuzuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për nxitjen e asaj që zyrtarët iranianë e kanë përshkruar si strategji "vrasjeje të inskenuar", që synonte rritjen e viktimave për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake të huaj.