Botë

Autoritetet iraniane pretendojnë se kanë arrestuar 20 spiunë të Izraelit

Iran

Irani ka njoftuar se 20 persona që dyshohet se janë eksponentë të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, janë arrestuar gjatë muajve të fundit, teksa është paralajmëruar se ndaj tyre s’do të tregohet fare mëshirë.

Të mërkurën, Republika Islamike e Iranit e pati ekzekutuar shkencëtarin bërthamor, Rouzbeh Vadi, i cili ishte dënuar nën akuzat e spiunazhit për Izraelin dhe për shpërndarjen e informacionit rreth vendndodhjes së një tjetër shkencëtari bërthamor, që humbi jetën nga sulmet ajrore izraelite mbi Iran gjatë muajit qershor, ka shkruar Reuters.

E zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangiri, ka thënë para gazetarëve në Teheran të shtunën se akuzat ndaj disa prej të arrestuarve janë hedhur poshtë dhe se ata tashmë janë liruar, porse s’ka dhënë ndonjë shifër të saktë.

“Gjyqësori nuk do të tregojë aspak mëshirë ndaj spiunëve dhe agjentëve të regjimit zionist dhe, me vendime të forta, do t’i bëjë shembull për të gjithë”, është cituar të ketë thënë Jahangiri nga mediat iraniane.

Ai ka theksuar se detajet e plota do të bëhen publike sapo të përfundojnë hetimet.

Ekzekutimet e iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin janë rritur ndjeshëm këtë vit, me të paktën tetë dënime me vdekje të ekzekutuara në muajt e fundit. 

Izraeli kishte lansuar sulme ajrore mbi territorin e Iranit për 12 ditë rresht në muajin qershor, duke shënjestruar gjeneralët më të lartë iranianë, shkencëtarët bërthamorë, impiantet bërthamore, si dhe lagjet e banimit.

Ndërkaq, Irani u kundërpërgjigj me breshëri raketash dhe dronësh në drejtim të Izraelit.

Në grupin për të drejtat e njeriut, HRANA, patën raportuar asokohe se të paktën 1,190 iranianë kishin humbur jetën gjatë luftës 12-ditore, përfshirë 436 civilë dhe 435 anëtarë të forcave të sigurisë.

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite kishin njoftuar se 28 persona u vranë nga sulmet hakmarrëse të Iranit.