Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka publikuar një deklaratë ku thuhet se “një pauzë lokale taktike e aktiviteteve ushtarake do të zbatohet për qëllime humanitare nga ora 10:00 deri në 20:00, duke filluar nga sot (e diel) në Rripin e Gazës”.
Në deklaratë thuhet se “pauza do të nisë në zonat ku IDF-ja aktualisht nuk është duke vepruar: al-Mawasi, Deir al-Balah dhe Qyteti i Gazës, çdo ditë deri në një njoftim të dytë”.
“Kjo vendimmarrje u arrit në marrëveshje me Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare pas diskutimeve për këtë çështje. Përveç kësaj, do të krijohen rrugë të caktuara të sigurta në çdo kohë nga ora 06:00 deri në 23:00 për të lejuar kalimin e sigurt të autokolonave të OKB-së dhe të ndihmave humanitare që shpërndajnë ushqim dhe ilaçe për popullsinë në të gjithë Rripin e Gazës”, vijon deklarata.
IDF-ja shtoi se “do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet humanitare paralelisht me manovrat ushtarake dhe operacionet sulmuese kundër organizatave terroriste në Rripin e Gazës, me qëllim mbrojtjen e civilëve izraelitë”.
Gjithashtu thuhet se IDF-ja është e gatshme të zgjerojë shkallën e kësaj veprimtarie nëse situata e kërkon.

Njoftimi i së shtunës për “pauza humanitare”, krijimi i një korridori për shpërndarjen e ndihmave nga Kombet e Bashkuara dhe hedhjet ajrore të ndihmave—që kanë shkaktuar debate—vjen në një kohë të rritjes së presionit ndërkombëtar për kushtet katastrofike në terren në Gaza, të shkaktuara nga rrethimi i enklavës palestineze nga Izraeli.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 127 persona në enklavë kanë vdekur nga uria ose kequshqyerja që nga fillimi i konfliktit në tetor 2023.
Mes tyre është një foshnje pesëmuajshe që vdiq në krahët e nënës së saj të premten. Në spitalet e Gazës, mjekët humbin ndjenjat nga uria teksa përpiqen të shpëtojnë pacientët që po vdesin nga uria.