Botë

Irani kërcënon me përshkallëzim nuklear pas gjetjeve të OKB-së

Iran

Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar se vendi do të rrisë aktivitetet nukleare, pasi bordi prej 35 anëtarësh i guvernatorëve të organit mbikëqyrës bërthamor të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të enjten, duke konstatuar shkelje të detyrimeve nga ana e Iranit, ka raportuar CNN.

Teherani zyrtar u kundërpërgjigj duke njoftuar se do të hapë një qendër të re për pasurimin e uraniumit dhe aktivizimin e centrifugave të avancuara – që sipas të gjitha gjasave do t’i komplikojë bisedimet nukleare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë fundjavë.

Vendet që morën pjesë në takimin e bordit të Agjencisë për Energjinë Atomike (IAEA) votuan në favor të rezolutës, me 19 vota pro, 3 kundër e 11 abstenime.

Agjencia e kishte akuzuar në të kaluarën Iranin për mosbashkëpunim, por rezoluta e së enjtes shënon gjetje zyrtare për mospërputhje dhe rrit mundësinë që çështja të dalë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në draft-rezolutën e parë nga Associated Press, bordi i guvernatorëve i bën thirrje Iranit për të dhënë përgjigje “pa vonesë”, në kuadër të një hetimi të gjatë mbi gjurmët e uraniumit të gjetura në disa vende që Teherani nuk i ka deklaruar si vende bërthamore.

Teherani zyrtar dënoi SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë për paraqitjen e rezolutës, teksa bëri të ditur se “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përgjigjet”.

Një ditë para votimit, një zyrtar i lartë iranian u deklarua për CNN-in se “Irani synon të ndërmarrë një sërë masash hakmarrëse bërthamore sapo të miratohet rezoluta në IAEA”.

“Këto masa përfshijnë zvogëlimin e bashkëpunimit me agjencinë dhe vendosjen e kufizimeve të caktuara, aktivizimin e centrifugave të përparuara dhe të gjeneratës së re, dhe heqjen e kamerave të monitorimit nga objekti i Isfahanit”, ka thënë zyrtari.

“Mbani mend fjalët e mia, ndërsa Evropa po mendon për një tjetër gabim të madh strategjik: Irani do të reagojë fuqishëm kundër çdo shkeljeje të të drejtave të tij”, kishte shkruar kryediplomati iranian Abbas Araghchi në rrjetin social X.

Lexo përditësimet tjera
trump khamenei

Tensionohen raportet mes SHBA-së e Iranit, evakuohet një pjesë e Ambasadës amerikane në Irak

Burime qeveritare amerikane kanë thënë se stafi jo-thelbësor i Ambasadës amerikane dhe personat e tyre të...