Burime qeveritare amerikane kanë thënë se stafi jo-thelbësor i Ambasadës amerikane dhe personat e tyre të afërt në Bagdad do të evakuohen nga Iraku për shkak të rreziqeve të larta të sigurisë.
Zyrtarët nuk kanë treguar se çka saktësisht po e shkakton largimin, megjithatë, të mërkurën, zyrtarëve amerikanë u është bërë e ditur se Izraeli është gati të nisë një operacion në Iran, raportoi CBS, duke cituar zyrtarë të njohur me çështjen.
Zyrtarët kanë thënë se kjo ishte pjesë e arsyes pse SHBA-ja ka këshilluar disa amerikanë të largoheshin nga rajoni pasi ajo parashikon që Irani mund të hakmerret ndaj disa objektivave amerikane në Irak.
Tensionet vijnë teksa bisedimet e SHBA-së mbi programin bërthamor të Iranit duket se kanë ngecur ditët e fundit.
I dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff, planifikon të takohet me zyrtarët e Iranit për rundin e gjashtë të bisedimeve të dielën, kanë thënë zyrtarët për CBS. Ëitkoff do të takohet me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Muscat, raportoi Axios.
"Ne po vlerësojmë vazhdimisht qëndrimin e duhur të personelit në të gjitha ambasadat tona. Bazuar në analizën tonë të fundit, vendosëm të zvogëlojmë gjurmën e misionit tonë në Irak”, ka deklaruar një zyrtar i departamentit të shtetit të SHBA-së për BBC-në.
Trumpi ka folur për Iranin në një paraqitje në Qendrën Kennedy të mërkurën, duke u thënë gazetarëve se amerikanëve u këshillohet të largohen nga rajoni "sepse mund të jetë një vend i rrezikshëm dhe do të shohim se çfarë ndodh".
Trumpi ka përsëritur gjithashtu se SHBA-ja nuk do që që Irani të zhvillojë armë bërthamore.
"Ne nuk do ta lejojmë këtë", ka shtuar ai.
Presidenti shpreson të arrijë një marrëveshje për të ndaluar Teheranin të zhvillojë një armë bërthamore.
Trumpi ka deklaruar se po bëhet gjithnjë e më pak i sigurt se Irani do të ndalojë pasurimin e uraniumit.
Në fillim të kësaj jave, Trumpi ka zhvilluar një telefonatë 40-minutëshe, që thuhet se ka qenë "e tensionuar" me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, i cili prej kohësh ka argumentuar për një qasje ushtarake në vend të një qasjeje diplomatike me Iranin.
Ndërkohë, të mërkurën, ministri i Mbrojtjes i Iranit, Aziz Nasirzadeh, ka deklaruar se shteti i tij nuk do të përjashtonte sulmin ndaj bazave amerikane në rajon, nëse negociatat bërthamore dështojnë të arrijnë një zgjidhje.
Presidenti Trump, e ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me bombardime nëse nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore.
Irani kërcënon me përshkallëzim nuklear pas gjetjeve të OKB-së
Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar se vendi do të rrisë aktivitetet nukleare, pasi bordi prej 35 anëtarësh i guvernatorëve të organit mbikëqyrës bërthamor të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të enjten, duke konstatuar shkelje të detyrimeve nga ana e Iranit, ka raportuar CNN.
Teherani zyrtar u kundërpërgjigj duke njoftuar se do të hapë një qendër të re për pasurimin e uraniumit dhe aktivizimin e centrifugave të avancuara – që sipas të gjitha gjasave do t’i komplikojë bisedimet nukleare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë fundjavë.
Vendet që morën pjesë në takimin e bordit të Agjencisë për Energjinë Atomike (IAEA) votuan në favor të rezolutës, me 19 vota pro, 3 kundër e 11 abstenime.
Agjencia e kishte akuzuar në të kaluarën Iranin për mosbashkëpunim, por rezoluta e së enjtes shënon gjetje zyrtare për mospërputhje dhe rrit mundësinë që çështja të dalë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në draft-rezolutën e parë nga Associated Press, bordi i guvernatorëve i bën thirrje Iranit për të dhënë përgjigje “pa vonesë”, në kuadër të një hetimi të gjatë mbi gjurmët e uraniumit të gjetura në disa vende që Teherani nuk i ka deklaruar si vende bërthamore.
Teherani zyrtar dënoi SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë për paraqitjen e rezolutës, teksa bëri të ditur se “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përgjigjet”.
Një ditë para votimit, një zyrtar i lartë iranian u deklarua për CNN-in se “Irani synon të ndërmarrë një sërë masash hakmarrëse bërthamore sapo të miratohet rezoluta në IAEA”.
“Këto masa përfshijnë zvogëlimin e bashkëpunimit me agjencinë dhe vendosjen e kufizimeve të caktuara, aktivizimin e centrifugave të përparuara dhe të gjeneratës së re, dhe heqjen e kamerave të monitorimit nga objekti i Isfahanit”, ka thënë zyrtari.
“Mbani mend fjalët e mia, ndërsa Evropa po mendon për një tjetër gabim të madh strategjik: Irani do të reagojë fuqishëm kundër çdo shkeljeje të të drejtave të tij”, kishte shkruar kryediplomati iranian Abbas Araghchi në rrjetin social X.
Irani s’i ka përmbushur detyrimet bërthamore për herë të parë në 20 vjet, thotë OKB-ja
Bordi i guvernatorëve të mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së të enjten ka zbuluar zyrtarisht se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij bërthamore për herë të parë në 20 vjet.
Lëvizja mund të çojë në tensione të mëtejshme dhe të vërë në lëvizje një përpjekje për të rivendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit më vonë këtë vit, raporton AP.
Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), i cili përfaqëson vendet anëtare të agjencisë, ka votuar për rezolutën në një takim në Vjenë, sipas diplomatëve që folën në kushte anonimiteti për të përshkruar rezultatin e votimit me dyer të mbyllura.
Në draft-rezolutën e parë nga The Associated Press, bordi i guvernatorëve rikthen një thirrje ndaj Iranit për të dhënë përgjigje "pa vonesë" në një hetim të gjatë mbi gjurmët e uraniumit të gjetura në disa vende që Teherani nuk i ka deklaruar si vende bërthamore.
Zyrtarët perëndimorë dyshojnë se gjurmët e uraniumit mund të ofrojnë prova se Irani kishte një program sekret të armëve bërthamore deri në vitin 2003.
Rezoluta u propozua nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, si dhe Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja dhe Irani mbajnë të dielën rundin e 6-të të bisedimeve për programin bërthamor
Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të zhvillojnë këtë të dielë në Oman rundin e gjashtë të negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit që përparon me shpejtësi, ka bërë të ditur të enjten ministri i jashtëm i sulltanatit.
Njoftimi vjen teksa tensionet rajonale janë rritur ndjeshëm ditët e fundit, raporton AP.
Njoftimi nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, vjen pas raportimeve se SHBA-ja po zvogëlon praninë e stafit që nuk konsiderohet thelbësorë për operacionet në Lindjen e Mesme dhe të familjarëve të tyre për shkak të potencialit për trazira rajonale.
Ndërkohë, ka pasur paralajmërime se anijet mund të jenë në shënjestër në ujërat rajonale për shkak të tensioneve.
Al-Busaidi e ka bërë njoftimin në platformën sociale X.
“Jam i kënaqur të konfirmoj se rundi i 6-të i bisedimeve Iran-SHBA do të mbahet në Muscat këtë të diel, më 15 qershor”, ka shkruar ai.
Irani prej ditësh kishte thënë se do të kishte bisedime, por Omani, i cili shërben si ndërmjetës, nuk i kishte konfirmuar ato deri më tani.