Viktoria Kovalenko nuk mund t’i ndalte lotët teksa shikonte videon në telefonin e saj.
Videon e funeralit të vajzës, në të cilin ajo nuk arriti të merrte pjesë.
12-vjeçarja Veronika dhe njerku i saj Petro humbën jetën nga bombardimi teksa familja prej katër anëtarësh po ikte nga Chernihivi në ditën e nëntë të pushtimit rus.
Viktoria e kujton momentin kur dëgjoi shpërthimin, teksa vetura e tyre po i afrohej një postblloku rus në fshatin Yahidne.
Xhamat e automjetit u thyen. Ajo bashkë me të bijën Veronikan u lënduan nga xhamat e thyer.
Asaj i kujtohet bashkëshorti që u bërtiste për t’u larguar nga automjeti.
“Kur ajo pa gjakun u frikësua dhe nisi të qante. Tentova ta qetësoja, por pastaj burri na tha të dilnim nga vetura. Nuk e hapa derën e djathtë, por qëndrova me të. Ajo ishte shtrirë afër veturës dhe ishte pa kokë. E pash qartë gjakun që po i dilte nga qafa”, ka thënë ajo.
Prej atij momenti nuk i ka parë më kurrë Petron dhe Veronikan. Të dy u varrosën në pyllin afër.
Viktoria dhe vajza më e vogël Varvara ikën, por u kapën nga ushtria ruse dhe u vendosën në bodrumin e një shkolle.
Ajo qëndroi për disa javë në bodrumin e tmerrshëm të shkollës së bashku me të bijën 1-vjeçare.
Kur ushtria ruse u largua nga fshati, Viktoria iku drejt Lvivit, qytet në perëndim të Ukrainës.
Në ditët e fundit ka pranuar videon nga të afërmit, të cilët varrosën burrin dhe vajzën e saj të madhe.
Trupat e Veronikas dhe Petros nga varreza masive janë zhvarrosur dhe janë vendosur në varrezat e qytetit.