Viktoria Kovalenko e kujton atë moment shumë qartë.
“Pati një shpërthim, ose të shtëna. Më shurdhoi. Xhami i pasmë u thye. Bashkëshorti im bërtiti, ‘dil nga vetura’”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTmerri i asaj dite është pothuajse i paimagjinueshëm, shkruan BBC të shtunën.
Nëntë ditë në luftën në Ukrainë, teksa luftimet përshkallëzoheshin, Viktoria dhe bashkëshorti i saj Petro më në fund kishin vendosur të largoheshin nga Chernihivi. Ata donin t’i mbanin të sigurt fëmijët. 12-vjeçarja Veronika ishte vajza nga martesa e parë e Viktorias. Vajza tjetër, Varvara, është vetëm 1 vjeçe.
Ata morën çfarë mundën dhe u larguan nga shtëpia. Derisa po largoheshin nga qyteti drejt fshatit Yahidne, gurët në rrugë ua bllokuan rrugën. Petro ndaloi, doli jashtë dhe filloi t’i hiqte nga rruga.
Sekonda më vonë, vetura e tyre po qëllohej.
“Vajza ime Veronika filloi të qajë sepse koka ime ishte prerë nga një copëz e xhamit që fluturoi dhe po gjakosja”, tregoi Viktoria.
“Veronika filloi të bërtasë, duart po i dridheshin, kështu që u mundova ta qetësoja. Ajo doli nga vetura dhe dola edhe unë ta ndiqja. Sapo dola e pashë atë të rrëzohej përtokë. Kur shikova, koka e saj nuk ishte”.
Vetura ishte goditur nga një bombë ruse dhe mori flakë.
“U mundova të qetësohesha, po mbaja në duar vajzën e vogël dhe duhej ta siguroja atë”.
Ajo nuk e pa Petron më, por heshtja e tij tregoi se edhe ai kishte vdekur.
Ajo vrapoi nga vetura që po digjej. 24 orët e ardhshme ishin përpjekje për të qëndruar gjallë.
Viktoria dhe vajza e saj gjetën një strehë në një veturë të parkuar, por pastaj të shtënat filluan sërish. Ajo vrapoi drejt një ndërtese të vogël që qartazi ishte përdorur nga ushtarët.
Ditën tjetër, ato u zbuluan nga trupat patrulluese ruse. U dërguan në një shkollë në Yahidne dhe u mbajtën rob në bodrum.
Nëna dhe fëmija kaluan 24 ditë aty, në kushte të tmerrshme. Viktoria pa njerëz të vdisnin përreth saj, në pamundësi për kujdes mjekësor. BBC-ja ka vizituar bodrumin dhe ka folur me persona që janë mbajtur aty. Ata kanë përshkruar trupat e vdekur në tokë të cilët kanë qëndruar aty me ditë.
Aty ishin 40 persona, thotë Viktoria, me pak hapësirë për të lëvizur ose ecur. Nuk kishte dritë, kështu që përdornin qirinj ose shkrepës. Ishte i ndotur dhe nxehtë, dhe Viktoria thotë se njerëzit kishin vështirësi të merrnin frymë. Shumicën e kohës nuk lejoheshin të përdornin banjot. Ata detyroheshin të përdornin kova.
Në këto kushte, Viktoria kujtoi humbjen brutale të bashkëshortit dhe vajzës. Ajo thotë se qëndroi e qetë dhe se e shfrytëzoi tërë energjinë që ta mbante gjallë vajzën e vogël. Por, ajo u kërkoi rusëve që t’ia sillnin trupat e Petros dhe Veronikas në shkollë, ashtu që t’i varroste.
Ajo dërgoi ish-bashkëshortin, babanë e Veronikas, në rrënojat e veturës që t’i bënte fotografi mbetjeve. Ata mezi njihen që janë njerëz.
Gati asgjë nuk kishte mbetur nga vetura e djegur: disa nga rrobat e Veronikas, një byzylyk i vogël në formë zemre, dy targa veture.
Viktoria kujton ditën kur trupat arritën.
“Ishte 12 mars. Ata më thirrën dhe thanë, ‘eja të shkojmë dhe do të shohësh se ku do të shtrihen ata’. Ata ishin varrosur në pyll, në dy varre, njëra kuti në formë arkivoli më i madh dhe tjetri më i vogël dhe dy shenja kryqi. Qëndruam dhe filluam t’i mbulonim me dhe, por bombardimet filluan, kështu që ikëm para se të mbaronim varrosjen. Ishte frikësuese”.
Ajo pyetet se çfarë do t’u thoshte njerëzve që ia bënë këtë familjes së saj.
“Nëse do të më jepej mundësia ta qëlloja Putinin, do ta bëja”, thotë ajo. “Duart nuk do të më dridheshin”.
Tani, Viktoria dhe Varvara janë në Lviv. Ajo pati seancën e parë me një psikolog atje. “Kur jam me njerëz, kur bëj diçka dhe komunikoj, harroj çfarë ka ndodhur. Por, kur jam vetëm, jam e humbur”, thotë ajo e përlotur.