Pas shpërthimit, nënë e bijë kanë shkuar në drejtime të ndryshme. Iryna, 33 vjeç, shkoi në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali, ndërsa Liza shkoi në morg
Liza, 4-vjeçare me sindromën Down, ishte rrugës për të takuar një logopede me nënën e saj në Ukrainën qendrore kur raketa ruse ra nga qielli.
Ajo nuk arriti kurrë në takim. Tani imazhet që tregojnë historinë e jetës dhe fundin e saj po prekin zemrat në mbarë botën.
E veshur me xhaketë të kaltër me lule, Liza ishte mes 23 personave të vrarë, duke përfshirë djem të moshës 7 dhe 8 vjeç, në sulmin me raketa të së enjtes në Vinnytsia. Nëna e saj, Iryna Dmytrieva, ishte mes të plagosurve.
Pas shpërthimit, nënë e bijë kanë shkuar në drejtime të ndryshme. Iryna, 33 vjeç, shkoi në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali, ndërsa Liza shkoi në morg.
“Ajo kujtonte se po kërkonte vajzën e saj dhe Liza tashmë kishte vdekur”, tha tezja e Irynas, Tetiana Dmytrysynan. Nënës iu grabit gjëja më e çmuar që kishte.

Pak para shpërthimit, Dmytrieva kishte postuar një video në rrjetet sociale ku tregonte vajzën e saj duke u munduar të arrinte timonin, për të shtyrë karrocën e saj, duke ecur e lumtur nëpër Vinnytsia, veshur me xhaketën e kaltër dhe pantallona të bardha, me flokët e zbukuruar me kordele.
Pas sulmit me raketa ruse, shërbimet e urgjencës të Ukrainës shpërndan foto që tregonin trupin e saj të pajetë në tokë, pranë karrocës së saj të njollosur me gjak. Videot dhe fotot janë bërë virale, imazhet dhe historitë më të fundit nga lufta brutale në Ukrainë kanë tmerruar botën.
Gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, postoi se ajo e kishte takuar këtë “vajzë të mrekullueshme”, ndërsa filmonte një video krishtlindjesh me një grup fëmijësh, të cilëve iu dhanë stoli të mëdha për t’i pikturuar.
“Vajza e vogël, arriti në gjysmë ore, të pikturojë jo vetëm veten, fustanin e festës, por edhe të gjithë fëmijët e tjerë, mua, kameramanët dhe regjisorin... Shikojeni të gjallë, ju lutem”, ka shkruar Olena Zelenska, në shënim që shoqëron videon.
Kur filloi lufta, Dmytrieva dhe familja e saj u larguan nga kryeqyteti Kievi për në Vinnytsia, qytet 268 kilometra në jugperëndim. Deri të enjten, Vinnytsia konsiderohej relativisht e sigurt.
Dmytrieva lindi vajzën e saj të vetme kur ishte 29 vjeç. Vajza lindi me problem në zemër, por mjekët e shpëtuan. Ajo gjithashtu vuante nga sindroma Down.
“Liza ishte fëmijë dielli”, kujton tezja e saj. “Thonë se këta fëmijë nuk kuptojnë apo dinë të bëjnë gjithçka. Por kjo nuk është e vërtetë. Ajo ishte një fëmijë shumë i zgjuar. Ajo dinte të vizatonte, fliste, ndihmonte gjithmonë të rriturit dhe buzëqeshte gjithmonë. Gjithmonë e gëzuar”. Për nënën e saj, Liza ishte dhurata më e madhe e jetës së saj. “Ajo e donte pafundësisht”, tha tezja e saj.
Vendi i shpërthimit tani është i rrethuar. Njerëzit vijnë për të lënë lule, qirinj dhe arusha pelushi. Një tjetër objekt në një faltore të improvizuar, është një faqe nga një libër mësimi për fëmijë. Midis vajtuesve janë nënat e prekura thellë nga historia e Iryna dhe Liza Dmytrieva.
“Fëmijët e pafajshëm vdesin”, tha Kateryna Kondratyuk, duke shpërthyer në lot në vendin e bombardimit. Ndërkohë Iryna është e vetëdijshme dhe në terapi intensive.
“Ajo është një luftëtare. Ajo do të dalë. Të gjithë po lutemi për të”, tha tezja e saj.
Babai i Lizës ishte në morg të premten, duke përfunduar dokumentet për të marrë trupin e vajzës së tij për varrim.
Përktheu: Forca Jashari