Botë

“Pothuajse të gjitha familjet kanë humbur dikë”

Përmasat e vërteta të tmerrit në qytetin ukrainas të pushtuar nga Rusia, Mariupol, nuk mund të merren me mend. “Trupa të pajetë kudo. Pranë çdo shtëpie ishte dikush përtokë. Askush nuk i mblidhte trupat e viktimave”, është shprehur me lot në sy 51-vjeçarja Yuliya Zolotariova

Pamjet e publikuara nuk mund të merreshin me mend.

“Trupa të pajetë kudo. Pranë çdo shtëpie ishte dikush përtokë. Askush nuk i mblidhte”, është shprehur me lot në sy 51-vjeçarja Yuliya Zolotariova.

Tani në sigurinë relative të kryeqytetit Kiev, ajo po e tregon rrëfimin rrëqethës të jetës në qytetin e saj të lindjes, ku dyshohet se një shpërthim i madh kolere mund të jetë i pashmangshëm.

Yuliya u arratis vetëm dy javë më parë.

“Të pashpresë. Me frikë. Me dhimbje”

“Të gjithë kanë humbur shumë. Të pashpresë. Me frikë. Me dhimbje”.

Lotët nisën t’i rridhnin nëpër faqe.

“Pothuajse çdo familje ka humbur dikë të afërt”.

Është e lehtë të kuptohet pse zyrtarët ukrainas dhe agjencitë ndërkombëtare humanitare besojnë se kushtet janë të përkryera për përhapjen e shpejtë të sëmundjes në Mariupol.

“Askush nuk i ka mbledhur mbeturinat që nga fillimi i luftës”.

Yuliya shpjegon se uji i pijshëm e i pastër ishte i pamundur të gjendej për shumë prej rreth 100 mijë njerëzve që jetojnë ende në qytet.

“E kulluam ujin dhe e pimë nga bojleri. Nga sistemet e ngrohjes. Më vonë, njerëzit tanë shkuan në një pishinë të shkatërruar dhe morën ujë me klor prej andej. Kjo ishte krejt çka kishim”.

Realiteti i jetës - ose më mirë ekzistenca - nën pushtimin rus është në kundërshtim të ashpër me propagandën që shfaqet në Mariupol.

Momenti më simbolik i nënshtrimit erdhi fundjavën e kaluar, kur pushtuesit pikturuan mbi shenjën e betonit të mirëseardhjes të epokës sovjetike në hyrje të qytetit.

Ngjyrat e sapolyera të flamurit rus maskojnë blunë dhe të verdhën e Ukrainës.

Teksa Moska përpiqet ta varrosë historinë, ajo ofron të ardhmen e mjerueshme për banorët që pretendon rrejshëm se i ka çliruar.

“Rusia do të jetë këtu përgjithmonë”

“Rusia do të jetë këtu përgjithmonë”, shkruhet në tabelën gjigante të sapovendosur.

Arsyeja që Yuliya Zolotariova ishte në gjendje të shpëtonte nga kjo vrimë ferri, ishte vajza e saj Anastasiya, e cila, nga larg, i dha informacion për një rrugë të mundshme ikjeje.

26-vjeçarja u transferua në kryeqytet një vit më parë për ta ndërtuar karrierën duke punuar në hekurudhën kombëtare të Ukrainës.

Që nga lufta, ishte përpjekur shumë për bashkimin e familjes.

Image
Mykola Polishuk me të bijën Yulia dhe mbesën Anastasiya

Por kjo do të jetë e pamundur.

Rusët jo vetëm që ia shkatërruan shtëpinë e familjes, por edhe ia vranë gjyshen e saj, Valentinen.

“Në fakt, ata kanë shkatërruar tre breza”, ka theksuar Anastasiya me zemërim dhe pikëllim. E gjithë kjo, ngaqë ata mendojnë se ne, ukrainasit, nuk duhet të ekzistojmë”.

E pyetur se sa njerëz që i ka njohur janë vrarë që nga nisja e pushtimit e deri më tash, ajo u përgjigj: “Njëzet njerëz i kam njohur personalisht”.

Mirëpo vdekja e gjyshes së dashur është më e vështira për t‘u përballuar.

“Mendova se ishte tërmet”

Valentyna Polishuk, 80 vjeç, vdiq më 21 mars. Gati tre muaj më vonë, trupi i saj nuk është nxjerrë.

Vajza e ValentInas, Yuliya - nëna e Anastasias - kujton momentin e tmerrshëm kur rusët e goditën bllokun e apartamenteve të familjes në mes të natës.

“Mendova se ishte tërmet, gjithçka po dridhej. Dyshemetë, muret. Gjithçka ra. Kujtova se të gjithë do të vdisnim”.

Yuliya ka treguar se raketa shkatërroi plotësisht tri katet e fundit dhe më pas zjarri u përhap në pjesën tjetër të ndërtesës.

“Ishte jashtëzakonisht e frikshme. Zbritëm në bodrum, por edhe ai po digjej fort dhe kishte shumë tym”.

“Ishte zor edhe të merrje frymë”, ka bërë të ditur ajo.

“I thashë nënës sime: ‘Nënë, le të shkojmë të marrim frymë për pesë minuta. Le të dalim nga bodrumi. Ajo refuzoi, sepse ishte shumë e lodhur. Ishte 80 vjeçe dhe ishte shumë e vështirë për të”.

Juliya ia la nënës telefonat e saj dhe dokumentet e identitetit të familjes, dhe i tha se do të shkonte për të kërkuar ndihmë.

“Sa u ngjita lart, bodrumi u shemb. Nuk kishte asnjë shans për t’i shpëtuar”.

Njëmbëdhjetë banorë të bllokut, përfshirë fëmijë, humbën jetën në bodrum.

Terapi lufte

Tani, në një bodrum tjetër, në një qytet tjetër, të mbijetuarit e Mariupolit po përpiqen të mësohen të përballen me vdekjen.

Në qendër të Kievit gjejmë burra e gra që qëndrojnë në rreth duke i kaluar një top njëri-tjetrit e duke shkëmbyer përqafime.

Kjo është terapi në grup për një komunitet që jo vetëm është i zhvendosur, por edhe i traumatizuar.

Sesioni i sotëm është për ata që kanë treguar se janë veçanërisht të shqetësuar se si t’ia dalin mbanë.

Seanca e djeshme u përqendrua në humbjen, pasi pothuajse të gjithë 20 pjesëmarrësit kishin humbur të dashurit në tre muajt e fundit, ka bërë të ditur psikologia Anna Chasovnykova.

“Njerëzit e parë vijnë me sulme paniku. Kujtojnë çfarë ndodhte atje, tërë ato shpërthime dhe vrasje. Ata shohin gjithë të keqen që Federata Ruse i ka sjellë Ukrainës”.

Psikologia duket të jetë një nga gratë më të ngarkuara në Kiev. E madhe është kërkesa për mbështetje të shëndetit mendor.

“Pothuajse çdo ukrainas përballet me disa pasoja psikologjike. Dikush e pa luftën, dikush ishte në betejë, dikush humbi familjen”.

Qendra ku punon Anna u krijua vetëm dy javë më parë.

Në atë kohë ata kanë mbështetur më shumë se 5 mijë njerëz, të gjithë të ardhur së fundmi nga Mariupoli.

Në një dhomë tjetër qëndron Mykola Polishuk, 79 vjeç, duke regjistruar të dhënat e tij për jetën që e kishte në Mariupolin e tij të dashur: adresën, punën, familjen.

Por do të mungojë një rresht në procesverbal.

Ai është burri i Valentynës. Gruaja e tij prej 52 vjeësh.

“Më falni, nuk mund të flas se lotët po më vijnë”.

Mykola mbuloi fytyrën me duar.

Para vetes ka foton e ditës së dasmës - në Mariupol - në vitin 1970.

“Ajo që ata kanë bërë nuk mund të falet kurrë”.