Aktivistja mjedisore Greta Thunberg u ka thënë zyrtarëve suedezë se është trajtuar keq nga autoritetet izraelite pasi u arrestua gjatë kohës sa ishte në njërën nga anijet e flotës që po dërgonte ndihma në Gazë.
Një zyrtar i ambasadës suedeze, i cili e vizitoi Thunbergun në burg, tha se ajo u mbajt në një qeli me insekte, pa ujë dhe ushqim të mjaftueshëm. Thunberg tha se kishte pësuar dehidrim dhe kishte skuqje në trup. Ajo shtoi se ishte lënë për orë të tëra e ulur në sipërfaqe të forta dhe pa kushte, raporton The Guardian.
Një tjetër person i ndaluar tha se e kishte parë Thunbergun duke u detyruar të mbante flamuj për foto. Nuk dihet cilët ishin flamujt. Ajo shprehu shqetësimin nëse fotot e saj ishin shpërndarë.
Dy persona të tjerë nga flota, të cilët janë liruar, e konfirmuan këtë. Aktivisti turk, Ersin Çelik, i tha agjencisë Anadolu se Thunberg u tërhoq zvarrë për flokësh, u godit dhe u detyrua të puthte flamurin izraelit. Ai tha se kjo u bë për t’i trembur të tjerët.
Një gazetar italian, Lorenzo D’Agostino, bëri të ditur se Thunberg u mbështoll me flamurin izraelit dhe u shfaq si trofe para të tjerëve.
Greta ishte një nga 437 aktivistët, deputetët dhe juristët që ishin pjesë e flotës “Global Sumud”, grup me më shumë se 40 anije që donin të largonin bllokadën detare të Gazës, e vendosur nga Izraeli prej 16 vjetësh.
Izraeli ndaloi të gjitha anijet mes të enjtes dhe të premtes dhe arrestoi të gjithë pjesëtarët e ekuipazheve. Shumica janë dërguar në burgun e sigurisë së lartë Ketziot, në shkretëtirën Negev, ku zakonisht mbahen të burgosurit palestinezë.