Botë

Izraeli ndalon 13 anije me ndihma për Gazën, arrestohet Greta Thunberg

Greta Thunberg

Foto: Associated Press

Forcat izraelite kanë ndaluar 13 anije me aktivistë të huaj dhe që kishin për synim të transportonin ndihma për në Gazë, por 30 anije po vazhdojnë të lundrojnë drejt enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta, kanë thënë të enjten organizatorët e flotiljes.

Një video nga ministria e Jashtme izraelite tregon aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg, të ulur në një kuvertë të rrethuar nga ushtarë.

Thunberg, raportohet se është arrestuar dhe është marrë në paraburgim në portin e Ashdodit, raporton The Guardian.

"Disa anije të flotiljes Hamas-Sumud janë ndaluar në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët e tyre po transferohen në një port izraelit”, ka thënë ministria e Jashtme izraelite në X. 

"Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt dhe shëndoshë”, ka shtuar ajo.

Flotilja Globale Sumud, që transporton ilaçe dhe ushqim për në Gazë, përbëhet nga më shumë se 40 anije civile me rreth 500 parlamentarë, avokatë dhe aktivistë.

Flotilla publikoi disa video në Telegram me mesazhe nga individë në bordin e anijeve të ndryshme, disa prej të cilëve mbanin pasaportat e tyre dhe pretendonin se ishin rrëmbyer dhe dërguar në Izrael kundër vullnetit të tyre, dhe duke përsëritur se misioni i tyre ishte një kauzë humanitare jo e dhunshme.