Botë

Flota e anijeve me ndihma për Gazën rrethohet nga Izraeli

gaza

Aktivistët në një flotë anijesh që po përpiqen ta thyejnë bllokadën detare të Izraelit dhe të dërgojnë ndihma në Gaza kanë thënë se janë penguar nga anijet luftarake izraelite.

Flota Globale Sumud ka njoftuar se një nga anijet kryesore të saj, Alma, ishte “rrethuar në mënyrë agresive” nga një anije izraelite për disa minuta, dhe se komunikimi në bord ishte ndërprerë gjatë incidentit.

Izraeli pati thënë se nuk do ta lejojë flotën të arrijë destinacionin e saj. Tashmë ka bllokuar dy përpjekje të aktivistëve për të dërguar ndihma në qershor dhe korrik.

Kjo flotë e të mërkurës përbëhet nga mbi 40 anije dhe 500 njerëz, përfshirë politikanë italianë dhe aktivisten suedeze Greta Thunberg.

Italia dhe Greqia i kanë bërë thirrje Izraelit që të sigurojë mbrojtjen dhe sigurinë e aktivistëve dhe kanë njoftuar se po monitorojnë zhvillimet.

Sipas mediave izraelite, gjashtë anije janë penguar, ndërsa priten edhe të tjera.

Ministria e Jashtme turke e ka dënuar pengimin e anijeve duke e përshkruar si akt terrorist.

Al Jazeera ka raportuar se aktivistja Greta Thunberg është arrestuar nga forcat izraelite. Ministria e Jashtme izraelite ka konfirmuar se disa anije janë ndaluar dhe pasagjerët janë transferuar në portin izraelit.

“Greta dhe miqtë e saj janë mirë”, thuhet  në njoftimin e ministrisë.

Flota Sumud ka thënë disa herë se Izraeli ka sulmuar anijet e saj.

“Flota nuk ka thyer asnjë ligj. Ajo që është ilegale është gjenocidi i Izraelit, bllokimi ilegal i ndihmave në Gaza nga Izraeli dhe përdorimi i urisë nga Izraeli si armë”.

Ndërkohë protesta kanë shpërthyer në disa qytete të Italisë pas raportimeve se anijet janë ndaluar. Shoqatat italianë kanë bërë thirrje për grevë si protestë për trajtimin ndaj anijeve.