Botë

Greqia përballet me zjarret në ishullin e Kretës për ditën e tretë me radhë

zjarri - Kretë, Greqi

Foto: Associated Press

Zjarrfikësit në ditën e tretë me radhë luftuan për të shuar një zjarr masiv në ishullin grek të Kretës, i cili ka shkatërruar pyje dhe ullishte, duke detyruar mijëra banorë e turistë që të largohen nga zona, ka shkruar Reuters.

Rreth 130 zjarrfikës, 48 automjete dhe gjashtë helikopterë u angazhuan në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, duke punuar në kushte me erëra të forta dhe thatësirë, të cilat mund t’i rikthejnë flakët në ato zona që tashmë janë vënë nën kontroll.

Zjarri në Kretë ka ndodhur në një kohë kur pjesa më e madhe e Evropës po përballet me valën përvëluse të së nxehtit, e cila, sipas zyrtarëve, ka shkaktuar vdekjen e të paktën tetë personave në kontinentin e vjetër.

Zjarri, i cili shpërtheu të mërkurën në një fshat rreth 16 kilometra në lindje të Ierapetrës, ka përfshirë sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore në cepin juglindor të ishullit, duke lënë pas kafshë të ngordhura, shtëpi të dëmtuara dhe ferma të djegura.

Rreth 1,000 nga banorët e evakuuar të mërkurën gjetën strehim të përkohshëm në një stadium të mbyllur dhe në disa hotele pranë, ndërsa rreth 5,000 pushues u larguan nga zona.

Shumë prej të evakuuarve pritej të ktheheshin në shtëpitë e tyre më vonë gjatë ditës së premte, pasi situata ishte përmirësuar, ka thënë George Tsapakos, zëvendësguvernator për mbrojtjen civile në Kretë.

Turizmi është burim kyç i të ardhurave në Kretë, njëkohësisht ishulli më i madh i Greqisë, dhe hotelierët lokalë janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë zjarri në rezervimet e ardhshme.

Ndërkohë, rreth 148 zjarrfikës provuan të shuajnë një zjarr që kishte shpërthyer po ashtu të enjten në periferi të Athinës, në Pikermi, duke rrezikuar shumë banesa, si dhe duke i detyruar autoritetet të evakuojnë mbi 300 persona. 

Zjarri u vu nën kontroll, por ende nuk ishte shuar, kishte bërë të ditur një zyrtar i shërbimit të zjarrfikësve.

E sipas shërbimit meteorologjik grek, temperaturat në Greqi parashikohet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius të premten.