Botë

Zjarret vërshojnë Greqinë, autoritetet evakuojnë zonat afër kryeqytetit

Greqia zjarre

Greqia po përballet me pesë zjarre të mëdha në të gjithë vendin, teksa autoritetet kanë evakuuar banorët në rajonin më të goditur, vetëm 30 km në veri të kryeqytetit Athinë.

Era e djegies së drurit është ndier deri në qendër të Athinës, ndërsa Greqia ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të luftuar zjarrin që po përhapet, ka shkruar BBC.

Temperaturat pritet të arrijnë deri në 44°C të dielën, përderisa i nxehti ekstrem do të zgjasë gjatë gjithë fundjavës.

“Kemi zjarrfikës të lënduar, jetë njerëzish që janë vënë në rrezik, prona të djegura dhe sipërfaqe pyjore të shkatërruara”, ka thënë ministri i Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Giannis Kefalogiannis.

Era e fortë dhe temperaturat përvëluese kanë përhapur flakët. Greqia ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për gjashtë avionë shtesë për shuarjen e zjarreve.

Në Atikë, rajoni ku ndodhet Athina, një zjarr që nisi në Afidnes të shtunën u përhap me shpejtësi nëpër Drosopigi, Kryoneri dhe Agios Stefanos, duke detyruar banorët të largohen.

Ndërkaq, shërbimi i zjarrfikësve ka njoftuar se fronti kryesor është vënë nën kontroll, porse disa vatra vazhdojnë të digjen. Më shumë se 200 zjarrfikës, të mbështetur nga helikopterë dhe avionë, janë ende duke vepruar në zonë.

Në ishullin Evia, zyrtarët kanë bërë të ditur se një zjarr i dytë pranë Pissonas ka dalë “jashtë kontrollit”, duke lëvizur me shpejtësi drejt Afratit.

Disa fshatra, përfshirë Pournos dhe Mistros, kanë mbetur pa energji elektrike pasi flakët kanë shkatërruar shtyllat dhe linjat e transmetimit.

Gjashtë zjarrfikës janë dërguar në spital pasi që kanë pësuar djegie, ndërsa 115 të tjerë vazhdojnë të luftojnë me flakët.