Botë

Zjarri në Greqi vihet nën kontroll, por erërat e forta shkaktojnë evakuime

greqi

Zjarri i madh në periferi të kryeqytetit grek, Athinë, është vënë nën kontroll të shtunën në mëngjes, porse evakuimet nga zonat më të rrezikuara kanë vazhduar, pas parashikimeve për erëra të forta gjatë fundjavës.

Të paktën një person ka humbur jetën si dhe disa shtëpi e toka bujqësore u shkatërruan të premten, teksa zjarret, të nxitura nga erëra të fuqishme, shpërthyen në të gjithë Greqinë, nga afër kryeqytetit deri në rajonet përreth vendit historik të Olimpias së Lashtë, ka shkruar Reuters

Zjarri më i rëndë shpërtheu në qytetin e vogël Keratea, në jugperëndim të kryeqytetit, ku zjarrfikësit gjetën trupin e një burri të moshuar në një ndërtesë të djegur. 

Zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve ka thënë të shtunën se zjarri në atë pjesë ishte vënë nën kontroll, por ende s’ishte shuar plotësisht.

Greqia dhe vende të tjera të Mesdheut ndodhen në zonën që shkencëtarët e kanë quajtur “pikë e nxehtë e zjarreve”, ku zjarret janë të zakonshme gjatë verave të nxehta dhe të thata. Këto zjarre janë bërë më shkatërruese në vitet e fundit për shkak të ndryshimeve të shpejta klimatike, duke i shtyrë shtetet që të përpilojnë qasje të re për ta adresuar këtë problematikë.

Pjesa më e madhe e rajonit përreth Athinës nuk ka parë pothuajse asnjë pikë shiu prej muajsh.

Të premten, erëra të forta me shpejtësi deri në 80 km/h përhapën flakët rreth Kerateas, duke përfshirë plantacione ullinjsh. Ndërkaq, edhe disa shtëpi u përfshinë nga zjarri teksa banorët, të pajisur me maska të lehta mbrojtëse, kanë provuar të ndihmojnë zjarrfikësit. 

Autoritetet policore kanë trokitur derë më derë në orët e vona të natës për t’u siguruar që banesat ishin evakuuar.