Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar të martën urdhërarreste për dy udhëheqës të lartë talebanë, duke i akuzuar ata për persekutim të vajzave dhe grave në Afganistan.
Haibatullah Akhundzada, udhëheqësi suprem i talebanëve, dhe Abdul Hakim Haqqani, kryetari i gjykatës së talebanëve, dyshohen për "urdhërim ose nxitje të krimit kundër njerëzimit" kundër vajzave, grave dhe "personave të tjerë që nuk përputhen me politikën e talebanëve mbi gjininë, identitetin ose shprehjen gjinore", ka thënë Gjykata Ndërkombëtare Penale në një deklaratë.
Që nga marrja e kontrollit të Afganistanit në gusht 2021, talebanët kanë zbatuar një sërë masash shtypëse kundër grave dhe vajzave, madje duke shtypur edhe zërat e grave në publik.
Vajzave u është ndaluar arsimi pas klasës së gjashtë. Gratë duhet të mbulojnë trupin e tyre dhe të mbajnë një mbulesë fytyre në çdo kohë në publik, dhe gjithashtu u është ndaluar të shikojnë burra me të cilët nuk janë të lidhur.
"Ndërsa talebanët kanë vendosur rregulla dhe ndalime të caktuara për popullsinë në tërësi, ata kanë synuar posaçërisht vajzat dhe gratë për shkak të gjinisë së tyre, duke i privuar ato nga të drejtat dhe liritë themelore", ka thënë GJNP-ja të martën.
"Në mënyrë specifike, talebanët i kanë privuar rëndë, përmes dekreteve dhe urdhëresave, vajzat dhe gratë nga të drejtat për arsim, privatësi dhe jetë familjare dhe liritë e lëvizjes, shprehjes, mendimit, ndërgjegjes dhe fesë", thuhet më tej në deklaratë.