Talebanët shënuan të shtunën pesë vjet në pushtet, duke u përpjekur të paraqesin qeverisjen e tyre si të qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa organizatat humanitare dhe ato për të drejtat e njeriut paralajmëruan për përkeqësimin e krizave në vend.
Jashtë ish-ambasadës së SHBA-së në Kabul, automjete të blinduara të talebanëve morën pjesë në një paradë, duke shfaqur flamuj dhe pankarta. Autoritetet talebane e cilësuan këtë ditë si “ditën e fitores” ndaj dominimit perëndimor, raporton AP.
Ministri i Brendshëm i talebanëve, Sirajuddin Haqqani, tha në një videomesazh se rikthimi i tyre në pushtet ishte rezultat i “moralit, guximit” dhe “ndihmës hyjnore”.
Ai e pranoi se në vend ende mund të ketë çështje dhe probleme të pazgjidhura.
Organizatat ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara thonë se talebanët kanë hasur vështirësi në përballimin e krizave natyrore dhe humanitare me të cilat është përballur Afganistani gjatë pesë viteve të fundit.
Edhe
Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit
Një nga faktorët kryesorë është edhe vendosja e kufizimeve të rënda ndaj grave afgane.
Para rikthimit në pushtet, talebanët u patën zotuar se do t’u garantonin grave qasje në arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike, në përputhje me interpretimin e tyre të parimeve islame.
Megjithatë, pas marrjes së pushtetit, ata ndaluan pa afat arsimimin e vajzave përtej klasës së gjashtë. Disa muaj më vonë, regjimi ndaloi edhe arsimin e lartë për gratë.
Grave u është ndaluar gjithashtu hyrja në palestra, parqe dhe banja publike, pjesëmarrja në aktivitete sportive, si dhe udhëtimi në distanca të largëta pa një “mahram”, pra një kujdestar mashkull.
Edhe
Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar
Talebanët morën sërish kontrollin e Afganistanit më 15 gusht 2021, pas një ofensive të nisur në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe trupat e tjera të NATO-s po tërhiqeshin nga vendi, pas dy dekadash luftë.
Tërheqja e trupave ndërkombëtare shkaktoi skena kaotike në dhe përreth aeroportit të Kabulit, ku mijëra afganë tentonin të largoheshin nga vendi.