Botë

Gjermania arreston pesë të dyshuar për planifikim të një sulmi në treg Krishtlindjesh

Policia gjermane

Foto: Associated Press

Pesë burra janë arrestuar në Gjermani, të dyshuar për përfshirje në një komplot për të përplasur një veturë në një treg Krishtlindjesh. 

Tre marokenë, një egjiptian dhe një sirian janë arrestuar të premten për planin për të kryer sulm në një treg në shtetin jugor bavarez. Autoritetet kanë thënë se dyshonin për një “motiv islamist” prapa komplotit. 

Prokurorët kanë thënë se egjiptiani - një 56-vjeçar, dyshohet se “ka bërë thirrje për një sulm me automjet me qëllim vrasjen ose plagosjen e sa më shumë njerëzve”. Marokenët dyshohet se kanë rënë dakord të kryejnë sulmin. 

Zyrtarët në Gjermani kanë qenë në gatishmëri të lartë pas sulmeve të mëparshme në tregjet e Krishtlindjeve, përfshirë atë në Magdeburg më 20 dhjetor të vitit të kaluar që ka lënë gjashtë të vrarë.

Autoritetet nuk kanë specifikuar se kur duhej të ndodhte sulmi i planifikuar ose cili treg ishte shënjestra e saktë, megjithëse besonin se ishte një në zonën Dingolfing-Landau, në verilindje të Mynihut.

Gazeta gjermane Bild ka raportuar se egjiptiani ishte imam në një xhami në zonë.