Tre persona që pretendohet se janë anëtarë të grupit militant të Hamasit janë arrestuar në Gjermani mbi dyshimin se planifikonin sulme në institucione izraelite apo hebraike.
Të dyshuarit do të dalin para gjykatës të enjten. Aty do të vendoset nëse ata do të mbahen në paraburgim deri në fillimin e gjyqit, raportoi AP.
Zyra e prokurorit në Gjermani ka thënë se ata dyshohen për përfshirje në sigurim të armëve. Armë të ndryshme dhe municion u sekuestruan gjatë bastisjes.
Dy prej të dyshuarve janë shtetas gjermanë.
Hamasi ka kryer qindra sulme kundër izraelitëve përgjatë vitesh, por rrallë ka operuar jashtë Izraelit apo territoreve palestineze. Nuk dihet nëse të dyshuarit vepronin me urdhra nga Hamasi apo thjesht ishin simpatizues të Hamasit.