Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gazetari turk në arrest shtëpiak me akuzën se tentoi rrëzimin e qeverisë

Protestat në Stamboll më 2013

Foto: Associated Press

Një gjykatë në Stamboll ka urdhëruar që gazetari i njohur turk, Ismail Saymaz, të vendoset nën masën e arrestit shtëpiak në një hetim lidhur me protestat mbarëkombëtare në vitin 2013.

Saymaz, i cili punon për televizionin “Halk TV”, fillimisht u arrestua të mërkurën nën akuzën se ndihmoi në tentimin për ta rrëzuar qeverinë gjatë protestave më 2013, raportoi Reuters.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai u arrestua kur u arrestua edhe kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, nën akuzat për korrupsion dhe ndihmë të një grupi terrorist.

Në vitin 2013, demonstrata të vogla kundër planifikimeve për të ndërtuar një qendër tregtare në Parkun Gezi, në qendër të Taksimit në Stamboll, u kthyen në protesta me qindra mijëra njerëz që u çuan kundër qeverisë – dhe nxitën një përgjigje të ashpër nga autoritetet.

“Halk TV” raportoi se prokurorët e kanë marrë në pyetje Saymazin për postimet në rrjetet sociale dhe për mesazhet me të pandehurit në gjyqin për rastin e Parkut Gezi, përfshirë biznesmenin Osman Kavala, i cili u dënua me burgim të përjetshëm më 2022. Kavala u përball me disa akuza, përfshirë spiunazh, financimin e protestave për Parkun Gezi dhe përfshirje në puç të dështuar kundër qeverisë së Erdoganit më 2016.

Saymaz ka mohuar akuzat dhe ka thënë se të gjitha thirrjet dhe mesazhet e tij lidheshin me gazetari.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se 11 persona u vranë dhe mbi 8,000 u lënduan nga përgjigja që i dha shteti protestave, si dhe mbi 3,000 u arrestuan.