Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

G7 skeptike për përfshirjen ushtarake ndaj Iranit

g7

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takua me ministrat e jashtëm të G7-s në Francë, duke mbrojtur vendosmërinë e SHBA-së për operacionin ushtarak ndaj Iranit, pavarësisht skepticizmit të aleatëve. Ndërkohë, Izraeli paralajmëroi se sulmet ndaj Iranit do të përshkallëzohen dhe do të zgjerohen, ndërsa raketat dhe dronët iranianë goditën vende të Gjirit.

Ndarje të thella qëndrimesh u vunë re mes ministrave të jashtëm të shtatë fuqive më të mëdha ekonomike në takimin e ministrave të jashtëm të G7-s të premten.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu bashkua homologëve të tij nga G7 vetëm pak kohë pasi presidenti Donald Trump kritikoi vendet e NATO-s lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shumica e aleatëve më të afërt të SHBA-së e kanë pritur me skepticizëm këtë luftë, megjithatë ata kanë theksuar nevojën për zgjidhje diplomatike për të dalë nga kjo situatë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të kontribuojë për sigurinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, por vetëm pasi të përfundojnë armiqësitë në rajon.

“Gjermania është e gatshme të luajë rol pas përfundimit të armiqësive, sa i përket garantimit të sigurisë së transportit detar në Ngushticën e Hormuzit. Kemi zhvilluar një diskutim fillestar për këtë temë, të cilin sigurisht do ta thellojmë më tej. Qëllimi im këtu është të siguroj që të zgjerojmë pikat e përbashkëta që ndajmë në këtë mosmarrëveshje”, ka deklaruar Wadephul.

E pak para se të largohej nga Washingtoni, Marco Rubio u ka thënë gazetarëve se nuk ishte i shqetësuar për pakënaqësinë e vendeve të G7-s lidhur me luftën ndaj Iranit.

“Nuk jam aty për t’i bërë ata të lumtur. Kam marrëdhënie të mira personale me të gjithë dhe bashkëpunojmë me ato qeveri me kujdes, por njerëzit që dua t’i kënaq janë qytetarët e Shteteve të Bashkuara. Për ta punoj. Nuk punoj për Francën, Gjermaninë apo Japoninë”, ka theksuar Rubio.

Ndërkohë, Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh ndaj Iranit të premten.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se sulmet ndaj Iranit do të përshkallëzohen dhe do të zgjerohen.

“E kemi paralajmëruar regjimin terrorist iranian të ndalojë lëshimin e raketave ndaj popullsisë civile në Izrael. Pavarësisht paralajmërimeve, sulmet vazhdojnë dhe për këtë arsye sulmet në Iran do të përshkallëzohen dhe do të zgjerohen drejt objektivave dhe zonave të tjera që ndihmojnë regjimin në ndërtimin dhe përdorimin e armëve kundër qytetarëve izraelitë. Ata do të paguajnë një çmim të rëndë dhe në rritje për këtë krim lufte”, ka deklaruar Katz.

Sipas tij, sulmi i së premtes në qendër të Teheranit pati në shënjestër objekte për prodhimin e raketave balistike dhe armëve të tjera. U goditën gjithashtu lëshues raketash dhe depo në perëndim të Iranit. Tym pati edhe në Bejrut, por Izraeli nuk konfirmoi sulme atje.

Ndërkaq, edhe në Izrael u dëgjuan sirena alarmi, ndërsa ushtria po përpiqej të ndalte raketat iraniane.

Irani vazhdoi të lëshonte raketa dhe dronë drejt vendeve arabe të Gjirit.

Sirena alarmi u dëgjuan në Bahrejn, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Arabia Saudite njoftoi se kishte rrëzuar raketa dhe dronë që synonin kryeqytetin Riad.

E në Kuvajt u raportua për sulme në disa zona veriore të cilat kanë pësuar dëme materiale.