Botë

Rubio flet me homologët e tij: Irani s’duhet kurrë të zhvillojë ose zotërojë armë bërthamore

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar të enjten me ministrin e Jashtëm britanik David Lammy, si dhe ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me homologët e tjerë nga Australia, Franca dhe Italia, për të diskutuar rreth luftës ndërmjet Izraelit dhe Iranit, raporton Reuters.

Në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) kanë bërë të ditur se Rubio dhe ministrat e tjerë të Punëve të Jashtme janë pajtuar se “Irani nuk duhet kurrë të zhvillojë ose zotërojë armë bërthamore”.

Ndërkohë, Lammy ka shkruar në rrjetin social X se situata në Lindje të Mesme “vazhdon të jetë e rrezikshme” dhe se “një dritare tashmë ekziston që brenda dy javëve të ardhshme të arrihet zgjidhje diplomatike”.

Lufta ajrore midis Iranit dhe Izraelit – e cila filloi më datë 13 qershor kur shteti hebraik e sulmoi Teheranin – ka aktivizuar alarmin në mbarë rajonin që ishte në prag të një lufte të re që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës në 2023-tën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të vendosë në dy javët e ardhshme nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshihen ose jo në luftë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë të enjten. Trumpi është duke e mbajtur botën në pritje, teksa qasja e tij mund të ndryshojë nga momenti në moment. 

Në Shtëpinë e Bardhë kanë lajmëruar gjithashtu se presidenti amerikan do të marrë pjesë në një takim të Sigurisë Kombëtare të premten në mëngjes.  

Izraeli, i cili është vendi i vetëm në rajonin e Lindjes së Mesme që besohet gjerësisht se posedon armë bërthamore, ka pretenduar se sulmi ndaj Iranit është bërë me qëllim për ta penguar Teheranin që të zhvillojë programin e tij bërthamor. 

Nga ana tjetër, Irani, që sugjeron se programi i vet bërthamor është krejtësisht për qëllime paqësore e civile, është kundërpërgjigjur me sulme të reja në drejtim të Izraelit.

Të paktën 639 persona kanë humbur jetën, përfshirë 263 civilë, në Iran dhe më shumë se 1,300 janë plagosur, bazuar në të dhënat e një organizate iraniane për të drejtat e njeriut me seli në Washington. 

Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar qindra raketa dhe dronë e duke lënë të vdekur të paktën 24 persona në Izrael e duke plagosur me qindra të tjerë.

Lexo përditësimet tjera
iran

Sulmet vazhdojnë, ministrat evropianë mblidhen në përpjekje për depërshkallëzim

Sulmet në mes të Izraelit dhe Iranit kanë vazhduar gjatë tërë natës, kur janë bërë fiks...