Botë

Franca thërret ambasadorin amerikan Kushner lidhur me pretendimet për antisemitizëm

Charles Kushner

Foto: MOHAMMED BADRA/EPA/Shutterstock

Franca ka thirrur ambasadorin e SHBA-së në Paris, Charles Kushner, lidhur me atë siç i ka quajtur pretendime të papranueshme se po dështon ta luftojë rritjen e antisemitizmit, raporton “BBC”. 

Kushner, që është hebre dhe i biri i të cilit është i martuar me Ivankan vajzën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka bërë komentet në një letër të hapur drejtuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të publikuar në “Wall Street Journal”. 

Kushner ka thënë se ka pasur shpërthim të urrejtjes ndaj hebrenjve në Francë që nga fillimi i luftës në Gazë. 

“Franca i hedh poshtë me vendosmëri këto akuza të fundit, të cilat janë të papranueshme”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Francës, duke shtuar se Kushner do të paraqitet të hënën. 

Në letrën e tij, ambasadori amerikan i bëri thirrje Macronit t’i zbusë kritikat ndaj Izraelit dhe ka përshkruar shembuj të antisemitizmit, për të cilat tha ai se kanë “lënduar prej kohësh jetën franceze”. 

“Në Francë, nuk kalon asnjë ditë a u sulmuar hebrenjtë në rrugë, pa u dëmtuar sinagogat apo shkollat, apo pa u vandalizuar bizneset në pronësi të hebrenjve. Ministria e juaj e Brendshme ka raportuar incidente antisemitike edhe te parashkollorët”, ka shkruar Kushner. 

Ai ka thënë se është i gatshëm të punojë me Macronin dhe udhëheqës tjerë francezë për ta krijuar një plan serioz për trajtimin e kësaj çështjeje. 

Ministria e Jashtme e Francës ka thënë se Konventa e Vjenës e vitit 1961, e cek qartë se ambasadorëve nuk i lejohet ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi. 

Franca planifikon ta njohë zyrtarisht Palestinën shtet në shtator.