I dërguari i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka mbërritur në Izrael, ku pritet të takohet të hënën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kjo vizitë vjen pasi Kushner zhvilloi bisedime të rralla me Hamasin për të diskutuar zbatimin e planit të paqes për Gazën, të mbështetur nga SHBA-ja.
Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i Trumpit deklaroi se kishte arritur marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Javën e kaluar, Izraeli e hodhi poshtë planin 15-pikësh të Trumpit, i cili parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën një administratë të re civile palestineze.
Tetë vende myslimane lëshuan të dielën një deklaratë ku dënuan refuzimin e planit nga Izraeli.
Trumpi drejton Bordin e Paqes, i cili u krijua si një organizatë ndërkombëtare që fillimisht synonte të sillte paqen në Gaza, por më vonë u zgjerua për të përfshirë konfliktet në mbarë botën.
Një zyrtar palestinez i tha BBC-së se dhëndri i Trumpit u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të udhëhequr nga lideri i ri i Hamasit, Khalil al-Hayya.
Në një deklaratë të mëvonshme, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësuesve dhe Bordit të Paqes që ta “detyrojnë” Izraelin të miratojë udhërrëfyesin për hapat e ardhshëm.
Por Netanyahu përballet me zgjedhje të vështira në tetor, në përpjekje për të qëndruar në pushtet, ndërsa koalicioni i tij përfshin ministra që favorizojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Gazës.
Kushner diskuton me Netanyahun planin për Gazën, pas takimit me Hamasin
I dërguari i Donald Trumpit dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, është takuar të hënën në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë pasi zhvilloi një takim të rrallë me liderin e Hamasit në Kajro, në përpjekje për të çuar përpara planin e presidentit amerikan për Gazën.
Netanyahu, koalicioni qeverisës i të cilit po renditet pas në sondazhet e opinionit në Izrael përpara zgjedhjeve kombëtare të tetorit, hodhi poshtë publikisht këtë muaj një marrëveshje të mbështetur nga SHBA-ja, sipas së cilës Hamasi do të dorëzonte armët në këmbim të tërheqjes së Izraelit nga Gaza.
Trumpi kishte thënë se marrëveshja do të zbatohej në faza, me tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza ndërsa çarmatimi do të përparonte, ndërsa një “Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi” do të bashkëpunonte me një forcë të re policore palestineze për të garantuar sigurinë në territor.
Por Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, ka thënë se ushtria e vendit do të tërhiqet vetëm pasi Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura në Gazë të jenë çarmatosur plotësisht.
Diplomatët thonë se Izraeli nuk ka gjasa të bëjë ndonjë lëshim të madh lidhur me Gazën përpara zgjedhjeve të 27 tetorit.
Në takimin në Jerusalem me Netanyahun, Kushnerit i është bashkuar Nickolay Mladenov, i dërguari i Bordit të Paqes të Trumpit për Gazën, kanë thënë dy burime për Reuters.
Mladenov, një ish-zyrtar i OKB-së me lidhje të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe, një shtet me ndikim në Lindjen e Mesme, ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes së muajit të kaluar për çarmatimin dhe shihet gjerësisht si personi që drejton përpjekjet për zbatimin e planit fillestar të Trumpit me 20 pika për t’i dhënë fund luftës, të cilin Izraeli dhe Hamasi e pranuan vitin e kaluar.
Megjithatë, deri tani ka pasur pak përparim, ndërsa Izraeli vazhdon të kryejë sulme në Gazë, pavarësisht se kishte rënë dakord për një armëpushim si pjesë e planit të Trumpit.
Muajin e kaluar, Hamasi ka rënë dakord për një udhërrëfyes të ri me 15 pika, të mbështetur nga SHBA-ja, që synonte të çonte përpara planin e Trumpit. Por Izraeli e ka hedhur poshtë këtë udhërrëfyes.
Më herët, një burim ka thënë se lideri i Hamasit, Khalil Al-Hayya, kishte marrë pjesë në disa prej takimeve në Kajro të dielën, të cilat ndërmjetësuesit i zhvilluan me Kushnerin dhe Mladenovin.
Ky është takimi i dytë i njohur i Kushnerit me përfaqësues të Hamasit, grupit militant palestinez që SHBA-ja e ka shpallur organizatë terroriste.
Kushner ishte takuar më parë me zyrtarë të Hamasit së bashku me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff në tetor 2025, duke ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje që çoi në një armëpushim në Gazë dhe në lirimin e pengjeve të mbetura, të kapura nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Trumpi ka thënë në fund të korrikut se ishte arritur një marrëveshje për çarmatosjen e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gazë.
Hamasi ka thënë se e pranon planin, por se zbatimi i marrëveshjes do të varej nga përmbushja fillimisht nga Izraeli e angazhimeve të tij, përfshirë tërheqjen e forcave dhe ndalimin e sulmeve.