Botë

Ambasadori amerikan në Francë nuk paraqitet pasi ishte thirrur për komente antisemitizmi

Charles Kushner

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ka thënë të martën se zyrtarët e ministrisë së Jashtme janë takuar me një përfaqësues të ambasadorit amerikan, Charles Kushner, pasi diplomati amerikan nuk është paraqitur në një thirrje nga qeveria franceze. 

Kushner është thirrur në lidhje me letrën e tij drejtuar presidentit francez, Emmanuel Macron, ku pretendonte se vendi nuk kishte bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin. Takimi është zhvilluar të hënën pasi Parisi hodhi poshtë kritikat e Kushnerit si "të papranueshme" dhe njoftoi se e kishte thirrur atë, raporton AP.

Meqenëse diplomati mungonte, zyrtarët francezë u takuan me numrin 2 të ambasadës në vend të tij. Thirrja e ambasadorit është një njoftim formal dhe publik i pakënaqësisë. 

Gjatë takimit të së hënës, zyrtarët francezë e kanë denoncuar letrën si "ndërhyrje" në punët e brendshme të Francës dhe kanë thënë se "paraqiste një pikëpamje që nuk korrespondonte me realitetin" e luftës së qeverisë kundër antisemitizmit, sipas një zyrtari diplomatik francez i cili ka folur në kushte anonimiteti.

Kushner, një zhvillues i pasurive të paluajtshme, është babai i dhëndrit të presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Ministria e Jashtme franceze, në deklaratën e saj, ka thënë se “Franca i hedh poshtë me vendosmëri këto akuza” nga Kushner dhe se autoritetet franceze janë “mobilizuar plotësisht” për të luftuar rritjen e akteve antisemite që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi ndaj Izraelit, duke i konsideruar aktet “të patolerueshme”.

Në letrën, të publikuar të dielën vonë, Kushner shkruan se “deklaratat publike që sulmojnë Izraelin dhe gjestet drejt njohjes së një shteti palestinez i inkurajojnë ekstremistët, nxisin dhunën dhe rrezikojnë jetën hebraike në Francë”.

Akuzat e Kushnerit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi tjetër, ka thënë ministria franceze, dhe, “Ato gjithashtu nuk arrijnë cilësinë e partneritetit transatlantik midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara dhe të besimit që duhet të mbizotërojë midis aleatëve”.