Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me dërgim të Gardës Kombëtare edhe në Baltimore, duke e përshkallëzuar debatin me guvernatorin e Marylandit, Wes Moore, pasi demokrati e ftoi atë t’i bashkohet në një “shëtitje sigurie” në qytet, raporton "BBC".
“Nëse Wes Moore ka nevojë për ndihmë, si Gavin Newscum në LA, atëherë do t’i dërgojë ‘trupa’, gjë që po bëhet edhe në DC në afërsi dhe do ta pastroj shpejt krimin”, ka shkruar Trump në “Truth Social”.
Komentet shënojnë përpjekjen e radhës të presidentit republikan për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në qytete të drejtuara nga demokratët, me pretendimin se po e lufton krimin.
Përdorimi i personelit ushtarak për zbatim të ligjit në vend ka shkaktuar reagime të ashpra nga demokratët. Një guvernator e ka përshkruar atë si “abuzim të pushtetit”.
Trumpi ka dërguar rreth 2000 trupa të Gardës Kombëtare në Washington DC, një fortesë e demokratëve.
Të dielën, trupat në Washington janë parë duke mbajtur armë. Deri 1700 trupa pritet të mobilizohen në 19 shtete në javët në vijim.
Guvernatori i Marylandit, Moore, ka kritikuar dërgimin e trupave.
“Ata nuk kanë ecur në rrugët tona. Nuk kanë qenë në komunitetet tona”, ka thënë Moore.
E në rrjete sociale të dielën Trump i është kundërpërgjigjur Mooret duke thënë se “do të preferonte që ai ta pastronte krimin para se të shkoja për ‘shëtitje’”, shkroi Trump.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se janë bërë qindra arrestime në Washington DC që kur është dërguar Garda Kombëtare disa ditë më parë.