Trupat e Gardës Kombëtare kanë nisur të mbërrijnë në selinë e tyre në Uashington DC të martën, ndërkohë që kryetarët demokratë të bashkive e paralajmëruan Donald Trumpin kundër zgjerimit të pushtetit të tij për ligjin dhe rendin në qytete të tjera të mëdha.
Presidenti amerikan ka njoftuar të hënën se po dërgonte Gardën Kombëtare në kryeqytetin e vendit dhe se po e vendoste policinë e qytetit nën kontrollin federal, edhe pse shkalla e krimit të dhunshëm është në nivelin më të ulët në 30 vjet, raporton The Guardian.
"Kemi edhe qytete të tjera që janë të këqija," u ka thënë ai gazetarëve, duke përmendur fortesat demokrate të Çikagos, Los Anxhelosit dhe Nju Jorkut.
"Dhe pastaj, sigurisht, kemi Baltimoren dhe Oaklandin”, ka shtuar ai.
Të pesë qytetet e përmendura nga Trumpi drejtohen nga kryetarë bashkie me ngjyrë. Shumica e tyre e denoncuan hapur veprimin e presidentit.
Brandon Johnson, kryebashkiaku i Çikagos, ka thënë në një deklaratë se dërgimi i Gardës Kombëtare do të shërbente vetëm për të destabilizuar qytetin dhe për të minuar përpjekjet e tyre për sigurinë publike.
Brandon Scott, kryebashkiaku i Baltimores, ka thënë ndërkaq se “kur bëhet fjalë për sigurinë publike në Baltimore, ai duhet ta ndalë propagandën e krahut të djathtë dhe të shohë faktet”.
“Baltimore është vendi më i sigurt që ka qenë në më shumë se 50 vjet”, është shprehur Scott.
E Barbara Lee, kryebashkiake e Oaklandit, ka shkruar në X se “Karakterizimi i presidentit Trump për Oaklandin është i gabuar dhe bazohet në përhapjen e frikës në një përpjekje për të fituar pikë politike”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se do ta vendosë Gardën Kombëtare në Uashington DC ndërsa policinë e kryeqytetit nën kontroll federal.
Njoftimi i tij ka ardhur gjatë një konference për media të hënën, gjatë të cilës ka folur për goditje ndaj krimit dhe mungesës së strehimit në kryeqytetin e vendit.
Shtëpia e Bardhë paralajmëron të pastrehët në Uashington me gjoba dhe burgosje
Shtëpia e Bardhë thotë se të pastrehët në Uashington, arsyeja për të cilën presidentin Donald Trumpi vendosi të dërgojë Gardën Kombëtare atje, do të përballen me gjoba ose burgim nëse nuk largohen nga kampet.
Duke folur për atë që do të ndodhë me popullsinë e pastrehë në Uashington DC, Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka cituar kodet e qytetit të cilat do t'u jepnin individëve "mundësinë për të lënë kampin e tyre, për t'u dërguar në një strehë për të pastrehët, ku u ofrohen shërbime për varësinë ose shëndetin mendor".
Nëse refuzojnë, thotë Leavitt, ata do të gjobiten ose burgosen.
Garda kombëtare ka mbërritur të martën në kryeqytetin amerikan, me vendim të Trumpit për të luftuar siç thotë, krimin.