Izraeli duhet të tërheqë forcat nga zona neutrale që ndan lartësitë e aneksuara të Golanit nga territori sirian, ka thënë të mërkurën ministria e Jashtme e Francës, sipas AFP.
"Çdo vendosje ushtarake në zonën e ndarjes midis Izraelit dhe Sirisë është një shkelje e marrëveshjes së shkëputjes të vitit 1974”, ka thënë një zëdhënës i ministrisë së Jashtme.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi të dielën se kishte urdhëruar ushtrinë që të "kapë" zonën e çmilitarizuar në pjesën e kontrolluar nga Siria të Lartësive të Golanit, pasi rebelët hoqën nga pushteti presidentin sirian Bashar al-Assad.
“Franca i bën thirrje Izraelit të tërhiqet nga zona dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, ka thënë zëdhënësi i inistrisë së Jashtme.
Zona patrullohet nga një forcë paqeruajtëse e OKB-së e njohur si UNDOF, e cila paralajmëroi Izraelin të hënën se po shkel marrëveshjen 50-vjeçare që i dha fund një lufte të vitit 1973 me Sirinë.
Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar i OKB-së në Nju Jork i ka thënë AFP se forcat izraelite kanë zënë shtatë pozicione në zonën neutrale.
Ndërhyrja e Francës vjen pas dënimeve nga Arabia Saudite, Irani, Rusia dhe Turqia, si dhe thirrjes së SHBA-së që inkursioni izraelit të jetë "i përkohshëm".